Zv.ndihmëssekretarja amerikane Molly: Bideni ka lidhje të forta personale me Kosovën

Mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partneriteti i shumanshëm, u vlerësuan lart nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin me zëvendës ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit, Molly Montgomery.

Në një komunikatë nga Qeveria, thuhet se Montgomery në takim me Kurtin, theksoi marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, e veçanërisht lidhjen e fortë personale që Presidenti Biden ka me Kosovën.

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo falënderoi Kurtin dhe Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe mbështetjen në çështjen e strehimit të qytetarëve afganë.

Në anën tjetër, Kurti tha se kjo ndihmë ishte obligim humanitar yni dhe se ne duam t’i qëndrojmë në krah ShBA-ve, aleatit tonë strategjik.

Ai e falënderoi për mbështetjen e dhënë për Forcën e Sigurisë së Kosovës për pajisje dhe trajnime, si dhe shprehu vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë.

Po ashtu e njoftoi për buxhetin për vitin 2022, ku përfshihet edhe ndarja e mbi 100 milionë eurove për ushtrinë.

“Kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës për vlerësimin e Presidentit Biden, që vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje duhet përqendruar në njohjen reciproke. Gjithashtu, u bisedua për situatën e mirë në menaxhimin e pandemisë COVID-19, mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit dhe administrimin e rreth 1.6 milionë dozave”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu kreu i Qeverisë falënderoi SHBA-në për ndihmën në procesin e sigurimit të vaksinave kundër Covid-19.

“Duke ritheksuar aleancën e palëkundur me ShBA-në, kryeministri shprehu përkushtimin e Qeverisë për të zgjeruar bashkëpunimin edhe më tej në fushën e edukimit, agrikulturës dhe investimeve”, thuhet në komunikatë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu