ANALIZË/ Ivanov në Moskë, Zaev në Bruksel: Kah po shkon Maqedonia?

Asgjë nuk mund ta shpjegojë më mirë situatën momentale politike në Maqedoni se sa udhëtimi i presidentit Ivanov për në Moskë dhe i mandatarit për formimin e qeverisë Zoran Zaev për në Bruksel.

Në Maqedoni tani për tani janë dy forca më të mëdha politike, njëra është VMRO-DPMNE, e cila deri më tani tentonte dhe po vazhdon të tentojë të mbajë pushtetin me çdo kusht, dhe nga ana tjetër LSDM, e cila pas 10 vitesh kritikash nga opozita më në fund ka fituar shansin që të dëshmojë veten dhe thirrjet e tyre për demokraci, transparencë në udhëheqje dhe për integrim në struktura Euro-Atlantike. VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Geuevskit gjatë këtyre dy viteve të fundit, sa po zgjat kriza politike, kanë qenë mjaft të ashpër me qëndrimet e tyre dhe deklaratat e tyre kundër politikave të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vet Gruevski disa herë në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe në mënyrë të hapur u ka tërhequr vëmendjen faktorit ndërkombëtar, për kinse përzierjen e tyre në politikat e brendshme të Maqedonisë. Në theks të veçant kanë sulmuar ambasadën amerikane në vend, dhe ambasadorin e saj Xhes Bejli. E gjatë gjithë këtij procesi kanë pasur përkrahjen e Rusisë. Si ambasada ruse në Maqedoni, ashtu edhe Moska zyrtare disa herë kanë përsëritur qëndrimet e Gruevskit dhe VMRO-së që “perëndimi nuk duhet dhe nuk guxon të përzihet në punët e brendshme të Maedonisë.” E për dallim nga Gruevski, kundërshtarit të tij politik, Zoran Zaev nuk i kanë bërë përshtrypje politikat e Rusisë dhe fokusi i tij, nga ardhja në krye të LSDM-së ka qenë i orientuar drejtë perëndimit dhe kërkesat e tij kanë qenë integrimi i vendit në BE dhe NATO.

Ky orientim i opozitës së deritanishme nuk ka shkuar pa u vërejtur nga faktori ndërkombëtar, të cilët kanë deklaruar mbështetje gjatë gjithë kohës për të. Qysh prej fillimit të publikimit të materialeve të përgjuara në mënyrë ilegale, si dhe gjatë gjithë kohës sa ka zgjatur kriza, duke përfshirë këtu edhe protestat e “Revolucionit të Larëm” e deri në periudhën paszgjdhore, perëndimi nuk ka treguar asgjë përveç mbështetjes për Zaevin. BE dhe SHBA bënë shtypje të vazhdueshme kundër presidentit Ivanov i cili nga fillimi i krizës e sidomos në periudhën paszgjedhore ishte shëndrruar në një kukull që përcillte urdhërat e Gruevskit e jo kushtetutën. Pikërisht falë kësaj shtypje nga faktori ndërkombëtar, pas më shumë se 5 muajve, Zaev arriti të marrë lejen e presidentit për të formuar qeveri. Politikat e dyanshme të politikëbërësve maqedonas kanë bërë që nga vendet më të avancuara drejt integrimit në BE, Maqedonia të mbetet në “vagonin e fundit”, së bashku me Bosnje e Hercegovinën. E përderisa ende po vijojnë negociatat për formimin e qeverisë dhe përkundër faktit se kryeministër i momentit, i qeverisë teknike është Emil Dimitriev nga VMRO-DPMNE, në darkën që ka organizuar përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europianë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Frederika Mogerini, së bashku me 5 kryeministra nga rajoni është ftuar edhe Zoran Zaev. Kjo edhe një herë dëshmon mbështetjen e perëndimit për kryetarin e LSDM-së, e nga ana tjetër ftesa e presidentit Ivanov nga presidenti rus Vlladimir Putin, në të njejtën ditë, tregon mbështetjen e rusëve për politikat e VMRO-së.
Përderisa Zaevi shkon në Bruksel për të biseduar me europianët, e Ivanovi shkon në Moskë për të biseduar me rusët, Maqedonia vazhdonë të ngelet në udhëkryqin më të madh të historisë së saj. /InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu