Bashkohuni për Manastirin, shqiptarët mund të fitojnë dy kandidatë për këshilltarë

Në komunën e Manastirit, në rast të unifikimit të partive shqiptare mund të fitohen dy vende këshilltarësh në Këshillin Komunal, ashtu që shqiptarët do të jenë të përfaqësuar në nivel të pushtetit komunal, informon INA.

Në përbërjen e kaluar nuk ka pasur asnjë shqiptar, ndërsa gjatë përbërjeve të kaluara ka pasur përfaqësim në këshillin komunal.

Gëzim Metliku nga forumi rinor i BDI-së nga ky rajon ka shtrirë dorën e unifikimit, duke bërë thirrje që partitë shqiptare të dalin me një listë të përbashkët.

“Qytetar të Manastirit. E dini fort mirë se në zgjedhjet e kaluara parlamentare LSDM-ja ju mori mbi 1000 vota shqiptare. Gjë e cila nuk mungonte edhe në komunat tjera. Sidoqoft, të përqendrohemi në Manastir. Jemi në prag të zgjedhjeve lokale dhe kësaj here e kemi shansin historik për t’u unifikuar dhe me forca të përbashkëta ta nxjerim një këshilltar. Nuk do vështirësi për të bërë llogari se me votat shqiptare nga zgjedhjet e kaluara jo vetëm se nuk mund ta nxjerim një këshilltar, po mos them, turp është të garojmë me aq. Total votat pra BDI, Besa, Aleanca dhe Pdsh. Pa u kthyer votuesit shqiptar në konton e partive shqiptare na mori lumi edhe këto 4 vjet. 4 vjet të tjera pa këshilltar shqiptar në komunë. Si mund të këthehen ato votues? Shum lehtë.
1. Unifikim të faktorit shqiptar, që nënkupton koalicion mes 4 subjekteve politike shqiptare.
2. Sipas mundësive, që nuk është doemos, bartës liste person apolitik, intelektual, fisnik, i cili do tërheq qytetar apo votues neutral, sidomos ata që votuan LSDM në zgjedhjet e kaluara.
Mos gaboni vetëm, nuk vjen parasysh të caktohet person politik i cili shante dhe fyente votuesit shqiptar që votuan LSDM sepse shqiptari nuk harron dhe nuk fal lehtë dhe jo vetëm që nuk do t’i këthejmë ata votues, po do të largojmë akoma më tepër tjerë.”, theksoi Metliku, duke paralajmëruar se këtë nismë do tia shpalos edhe partive tjera.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se janë të gatshëm për unifikim dhe se ditëve të fundit kjo nismë duhet ti parashtrohet atyre nga strukturat e partive tjera.  Ndërsa nga Lëvizja BESA nuk ka pasur ndonjë përgjigje. (INA)