Bombë në shtëpinë e ish-eprorit të UÇK-së dhe ish-agjentit të SHIK-ut

Shtëpia e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-anëtarit të SHIK-ut Naim Miftari, sot ishte cak i një mjeti shpërthyes.
Në shtëpinë e tij në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në rrugën kryesore Prishtinë-Podujevë, rreth orës 08:50 të mëngjesit të sotëm, është gjetur një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë bombë dore metalike.

Lajmin për këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka informuar se mjeti i gjendur nuk ka shpërthyer.

Ajo ka thënë se PK-ja po merret me rastin.

“Rasti ka ndodhur rreth orës 08:50 në rrugën “Vëllezërit Fazliu”. Policia është marrë me rastin,  vetëm e ka konfiskuar. Mjeti nuk ka shpërthyer, ka qenë thjeshtë i vendosur. Por aty kanë qenë ekipet e nevojshme për deminim dhe rasti po hetohet”, ka deklaruar Ahmeti.

Lajmin e ka konfirmuar edhe vet Naim Miftari në një prononcim për gazetën “Bota sot”. Ai ka thënë se falë Policisë së Kosovës, njësisë për deminim, mjeti nuk ka shpërthyer dhe se nuk ka dëme.

Miftari ka treguar ngjarjen se si e ka kuptuar se kishte një bombë në oborrin e shtëpisë së tij.

“Disa punëtorë kanë dashur të parkojnë veturën para derës së shtëpisë sime dhe e kanë vërejt mjetin shpërthyes. Ata më kanë thirr mua. Unë isha në gjumë, por kur kam dal në terrasë gjysmë i fjetur, kam parë një objekt të rrumbullakët, por nuk kam mundur me qartësu se për çfarë objekti është fjala, mirëpo ai ka ngjasuar me bombë dore metalike. I kam thirr policinë dhe pas 3 orëve, ekipi shembullor i anti-bombave i Policisë së Kosovës, e ka çmontuar. I përgëzoj për punën dhe ekipin shembullor”, ka rrëfyer Miftari.

Ai ka deklaruar se prapa këtij veprimi, gjendet një qëllim.

“Qëllimi i kësaj vepre, fsheh porosi vrastare për ne, pasi kishte disa atentate edhe më herët. Por ky veprim nuk na zmbraps, as nuk rrëzon për toke, as nuk na demoralizon”, është shprehur ai.

I pyetur nga gazeta se a ka ndonjë person tek i cili dyshon, Naim Miftari ka thënë se porositësit e këtij akti, sot gjenden në krye të shtetit. Ai ka dhënë edhe një porosi për ta.

“Personat apo personin nuk e njoh, por ata (porositësit-milionerët) e tyre, fatkeqësisht sot i kemi në krye të shtetit, në vendet kyqe. Ata pothuajse janë pronar të Kosovës. Por, ata urdhërues po i porosis se çdo pikë gjaku i imi apo i ndonjë anëtari të familjes time të pafajshme që derdhet, do të paguhet vetëm me gjak, pasi ka humbur besimi në drejtësi të manipuluar. Ka humb edhe shpresa se një ditë do të bëhet më mirë”, ka thënë thënë tutje ish-eprori i UÇK-së.

Disa momente pas rastit, Miftari kishte publikuar edhe një fotografi në llogarinë e tij në Facebook.

“Presi….. FLM shum që po perkujdeseni për neve që her pas hereve po na rrethohen shtepit tona me shiritia të verdh ….., kurse policin ton djemt tan i pergozoj perzemërsisht për punen e kryer në menyr profesjonale. Vjen edhe koha e llogarive mos u brengosni …por mos harroni se nuk na frigojn as plumbat as bombat as kercnime e juja,  (nuk na rrëzoni përtok)”, ka shkruar Miftari në Facebook.

Kujtojmë së Miftari është njëri ndër kritikuesit më të mëdhenj të presidentit, Hashim Thaçi, të cilin në shumë postime në facebook, Miftari e akuzon për krime të ndryshme./BS


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu