MPJ e Shqipërisë reagon për incidentet në Kuvendin e Maqedonisë

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, ka reaguar për tensionimin e situatës dhe incidentet në Kuvendin e Maqedonisë, ku nëpërmjet një deklarate thekson se Shqipëria ndjek me shqetësim të madh përshkallëzimin e situatës në Maqedoni dhe skenat e dhunës në ambientet e Kuvendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratë thuhet se përplasje dhe skenat e dhunës kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët e Maqedonisë janë të papranueshme dhe aspak të denja për një demokraci parlamentare dhe shtohet më tej se dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar.

“U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje, të mos përdorin retorika që përshkallëzojnë situatën e tensionuar dhe të angazhohen maksimalisht, me qetësi, e gjakftohtësi në një dialog të qenësishëm. Gjithashtu, iu bëjmë thirrje forcave të rendit të angazhohen në ruajtjen e rendit publik dhe sigurisë së gjithë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre. Qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve, në të mirën e tyre të përbashkët, të bashkëjetesës e harmonisë ndëretnike si edhe të përparimit euroatlantik të vendit”, theksohet në deklaratë.

Gjithashtu MPJ e Shqipërisë mbështet thirrjen e ambasadorëve të vendeve të BE-së dhe të SHBA-së për të shmangur dhunën dhe për të nisur një dialog politik në Maqedoni.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu