Ramadani: S’ka shqiptarë që i beson Gruevskit

Ish kryeministri Nikolla Gruevski paralajmëron qasje të ndryshme ndaj shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtarë, nëse ndonjëherë në të ardhmen do të gëzojë përsëri postin e kryetarit të Qeverisë. Deklarata kundërthënëse e kreut ë OBRM-PDUKM-së, e shpalosur në përvjetorin e 27 të kësaj partie, vjen pas dhjetëra deklaratave të mëparshme të tij ku akuzonte shqiptarët dhe faktorin ndërkombëtarë për demaqedonizimin e vendit.

Analiste Ismet Ramadani për Alsat tha se Gruevski me deklarata të tilla vërteton dyfytyrësinë e tij. Ai theksoi se OBRM-PDUKM-ja mund të ndryshojë qasje ndaj shqiptarëve, por pa Gruevskin në krye.

“Kjo është një hipokrizi e radhës e Nikolla Gruevskit. Ai po bën përpëlitjet e fundit pasi që është në situatë ku do të ndodhet edhe para problemit brenda partiak. Më e rëndësishme është që ai me faktorin ndërkombëtarë më nuk do të ketë komunikim normal. Përfundimisht deklaratat te tij nuk mund të merren serioze sepse ato burojnë nga qëllimi që ai ta gjej veten edhe pak në parti dhe shqiptarët sigurisht nuk duhet të besojnë dhe këtu nuk ka dilem”, tha për Alsat-M, analisti Ismet Ramadani.