Shërbimi sekret serb i përzier në trazirat në Kuvend, Qeveria s’guxon të depërtojë agjentin serb

Qeveria e koalicionit VMRO-BDI si duket deri në fund i mbetet besnike raporteve speciale me Serbinë. Edhe pse një agjent i shërbimit sekret serb është identifikuar në mesin e pjesëmarrësve në dhunën që ndodhi në Parlament më 27 prill, autoritetet e Maqedonisë megjithatë nuk do të kërkojnë largimin e tij nga vendi.

Ambasadorja serbe në Shkup të enjten është thirrë për këtë rast në Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë, mirëpo nuk i është dorëzuar as notë proteste. Ajo është arsyetuar se një funksionar i lartë i shërbimit sekret maqedonas është njoftuar nga kolegët serbë se agjenti Goran Zhivaljeviq, i punësuar në ambasadën serbe në Shkup, është prezent në Kuvend më 27 prill.

Në këtë takim, MPJ maqedonase nuk ka kërkuar largimin e Zhivaljeviqit nga Maqedonia. Prezenca e Zhivaljeviqit po shfrytëzohet si alibi nga disa Agjentë të Agjencisë Maqedonase për Zbulim, që akuzohen për pjesëmarrje në dhunë më 27 prill, transmeton Gazeta Lajm. Ata thonë se janë futur në Kuvend me detyrë zyrtare, për shkak të prezencës së spiunit serb. Mirëpo kjo nuk është e saktë, sepse ata janë futur në Parlament në ora 18, kurse Zhivaljeviq në ora 20, raporton Tv 24. Poashtu përcjellja e veprimit të shërbimeve të huaja në Maqedoni nuk është detyrë e Agjencisë për Zbulim, por e Drejtorisë për kundërzbulim (DSK).

Kryeministri serb Vuçiq nuk është shprehur shumë i shqetësuar për këtë skandal, duke thënë se Zhvialjeviq vetëm se ka kryer punën e tij.
Ndryshe, Serbia ka lidhje të forta në qeverinë e Maqedonisë përmes një subjekti politik, që publikisht deklarohet ekstremist antiserb, mirëpo policia serbe liron brenda 2-3 orëve funksionarët e saj sa herë që arrestohen në Serbi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu