“150 denarë në ditë për shujtë”, paralajmërohet protestë e re nga “Rezistenca studentore”

“Rezistenca studentore” – organizatorja e protestës së djeshme para Kuvendit, nuk është e kënaqur me atë që u morën vesh në takimin në Kuvend mes studentëve – përfaqësues të kuvendeve të universiteteve me disa deputetë dhe ministrin e Arsimit dhe Shkencës dhe bëri thirrje për protestë të re të enjten.

“Njoftojmë publikisht se nuk jemi të kënaqur me rezultatin përfundimtar dhe vendimet që janë marrë. Ne si studentë qëndrojmë në kërkesat tona: Ndarja e mjeteve nga buxheti për rritjen e shumës së shujtës së subvencionuar të studentëve nga 120 denarë në 150 denarë në ditë; Ndarja e mjeteve nga buxheti për barazimin e shumës së bursave sipas ndryshimeve nga rritja e fundit e bursave; Ndarja e mjeteve për rinovimin dhe sigurimin e kushteve normale për qëndrim në konviktet e studentëve, plan afatgjatë për krijimin e ‘qyteteve studentore’ dhe ndalimin e privatizimit të paralajmëruar të konvikteve studentore dhe ndarjen e mjeteve të mjaftueshme për të përjashtuar studentët nga masat antikrizë të Qeverisë për racionalizimin dhe kursimin e energjisë elektrike”, publikoi mbrëmë “Rezistenca Studentore” duke paralajmëruar protestë të re për më 17 nëntor.

Pas takimit të mbrëmshëm në Kuvend ndërmjet përfaqësuesve të kuvendeve studentore, deputetëve dhe ministrit të Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, u dakordua që studentët të marrin subvencione për shujtën e studentëve sipas kushteve të vjetra dhe deri në mars një grup pune të gjente zgjidhje sistematike për një ligj të ri. Ishin shqyrtuar edhe aspekte të tjera të standardit studentor, mbi të gjitha përmirësimi i kushteve në konviktet e studentëve.

“Rezistenca studentore” në reagimin thekson se kërkesa e vetme e cila është pranuar në takim është tërheqja e ndryshimeve të propozim-ligjit për shujtë studentore të subvencionuar dhe se, për shkak të kësaj, nuk do të heqin dorë “derisa urgjentisht nuk realizohen edhe kërkesat e tjera”.

“Ju ftojmë të enjten, në Ditën Ndërkombëtare të Studentëve, në një marsh masiv studentor nga ora 17:00. Marshi do të fillojë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe së bashku do të shkojmë drejt Kuvendit të Maqedonisë. Ftojmë të gjitha organizatat studentore, kuvendet studentore të universiteteve dhe fakulteteve, profesorët, shoqatat dhe organizatat joqeveritare që t’i bashkohen luftës sonë”, publikoi “Rezistenca Studentore”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu