“500 euro paga minimale!”, Kurti: Brenda pak vitesh e trefishuam, përfitojnë 150 mijë punëtorë

Kryeministri në detyrë i Albin Kurti ka reaguar pas hyrjes në fuqi të pagës minimale prej 500 eurosh, duke theksuar se gjatë qeverisjes së tij ajo është trefishuar dhe se nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat.

Në një postim publik, Kurti kujtoi se paga minimale në Kosovë kishte mbetur e pandryshuar për më shumë se dhjetë vjet. Sipas tij, viti 2011 ishte hera e fundit kur ajo u ndryshua, duke mbetur në nivelin 130 euro, përkatësisht 170 euro për punëtorët mbi moshën 35-vjeçare.

“Gjatë qeverisjes sonë ajo u ngrit katër herë: nga 130 e 170 euro në 250 euro, më pas në 350 euro, më vonë në 425 euro dhe sot në 500 euro”, shkroi Kurti.

Ai theksoi se në më pak se pesë vjet qeverisje është arritur trefishimi i pagës minimale, ndërsa premtoi se rritja ekonomike do të vazhdojë të shoqërohet me rritje të mirëqenies për qytetarët.

“Rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Republikës sonë do ta përcjellim gjithnjë me shtim të mirëqenies për të gjithë. Urime të gjithëve!”, përfundoi Kurti në reagimin e tij. /INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu