A e rritë bllokada bullgare euro-skepticizmin në Maqedoninë e Veriut?

Në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet debat i ashpër ndërmjet partive politike maqedonase, asaj në pushtet, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe OBRM-PDUKM-së në lidhje me atë se kush shkel mbi dinjitetin e popullit maqedonas dhe shet interesat e shtetit në kurriz të zhbllokimit të procesit të integrimeve evropiane.

Partia maqedonase në opozitë, OBRM-PDUKM, vazhdon me organizimin e protestave nëpërmjet së cilave kërkon dorëheqjen e Zoran Zaevit nga posti i kryeministrit, pas deklarimeve të këtij të fundit në mediat bullgare se “bullgarët nuk kanë qenë fashistë” dhe se “nuk mohojnë të drejtën e vetëpërcaktimit të maqedonasve”.

Ekspertët janë të ndarë rreth asaj nëse përplasjet pushtet-opozitë do të rrisin euro-skepticizmin. Megjithatë ata theksojnë se ndasitë mes pushtetit dhe opozitës do të bllokojnë procesin e reformave dhe do të dëmtojnë në masë të theksuar pozitën e palës maqedonase kundrejt palës bullgare në lidhje me dallimet për çështjen e gjuhës maqedonase dhe një pjese të së kaluarës historike.

Ivan Stefanovski nga Qendra për Strategji Evropiane “Evrothing”, thotë për Radion Evropa e Lirë se euro-skepticizmi nuk do të shënojë rritje përderisa institucionet do të mbeten të angazhuara në realizmin e reformave, por nëse ngecin reformat, atëherë do të ketë rritje për sa i përket euro-skepticizmit.

Stefanvoski nënvizon se Maqedonia e Veriut, si shtet, pas bllokadës bullgare nuk guxon të zhvillojë sindromën e fëmijës së vogël, i cili pasi është qortuar nga hidhërimi do t’i bjerë murit me kokë për të gjakosur veten në formë ndëshkimi, përkundrazi duhet të ballafaqohet me të gjitha sfidat.

Ai shton se rruga e integrimeve evropiane nuk është aspak e lehtë dhe se drejtuesit e institucioneve duhet kuptuar se asnjë milimetër nuk duhet lëvizur nga qëndrimi se Bashkimi Evropian është trajektorja jonë e vetme ku duhet lëvizur.

“Në asnjë moment nuk duhet ta ndërpresim realizimin e reformave. Ndërprerja e realizimit të reformave është skenari i vetëm që nuk guxon t’i ndodhë Maqedonisë së Veriut si shtet. Përkundrazi, duhet intensifikuar reformat në atë pjesën ku faktorët relevantë ndërkombëtarë kanë regjistruar dobësi, e ku bën pjesë lufta kundër krimit të organizuar veçanërisht në nivele të larta, reformat urgjente në administratën shtetërore ku kërkohet shkurtimi dhe profesionalizmi i administratës, përkujdesja ndaj ambientit jetësor, etj. Pra, këto janë ato prioritete ku duhet përshpejtuar hapat sa i përket realizmit të reformave që qytetarët të mos humbasin besimin për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, pavarësisht bllokadës bullgare”, thekson Stefanovski.

Arsim Sinani, drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se pas bllokadës bullgare dhe përplasjeve ndërmjet dy partive maqedonase më të mëdha, asaj në pushtet, LSDM, si dhe VMRO DPMNE-së në opozitë, do të kamuflohet mosrealizimi i reformave që Brukseli i ka vendosur si kusht për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane.

“Nuk shoh se realizohen reforma në Maqedoninë e Veriut. Nuk ka reforma këtu dhe do të shkojë një kohë e gjatë derisa ky establishment do të mund të bëjë diçka. Kjo qeveri ka problem me numrat, është me një shumicë të brishtë dhe vështirë do ta ketë t’i çojë para reformat duke shtuar këtu dhe krizën që ka shkaktuar dhe pandemia”, vlerëson Sinani.

Sofja zyrtare ka bllokuar procesin e fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, pasi siç kanë theksuar zyrtarët bullgarë, pala maqedonase ka shkelur Marrëveshjen për fqinjësi të mirë mes dy shteteve fqinje të nënshkruar në vitin 2017, përkatësisht Bullgaria zhbllokimin e procesit të fillimit të bisedimeve për Maqedonisë së Veriut e kushtëzon me respektimin e formulimit të gjuhës maqedonase në përputhje me Marrëveshjen e 2017-s, përcaktimin e një udhërrëfyes preciz për zbatimin e marrëveshjes në fjalë si dhe heqjen dorë nga pretendimet për pakicë maqedonase në Bullgari./REL


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu