A merakoset Turqia për shaminë në Kosovë?

Një ndër mitet në kokëboshjen pa logjikë të islamofobëve përgjithësisht në botën shqiptare por kryesisht në Kosovë, është ai se shamia është pjesë e axhendave antishqiptare, apo thënë ndryshe turke. Po t’i vësh re ata, islamofobët, bashkohen në një pikë kur shprehen: kanë dhjetë rreshta gjithsej, me të njëjtat fjalë, të njëjtat mite. Nuk kanë analizë, nuk të sfidojnë dot me thellësi, janë aq të cekët e sipërfaqësorë deri në mjerim mendor. Kur tentojnë të thonë diçka, vetëm burim mendor nuk ka ajo që thonë. Sepse çdo gjë e kanë shtampë, mit, fiksim pa logjikë.

Pra, sipas tyre, shamia imponohet nga Turqia. Po pse imponohet nga Turqia fjala vjen dhe si ndodh kjo? Mos prisni përgjigje se nuk kanë. Po po u japim një përgjigje. Nëse Turqia do merrej më shaminë, ajo thjesht s’do ekzistonte fare si çështje. Sot ajo është fuqi botërore dhe ka gjithë kapacitetet të të diktojë atë që do, aq më tepër që ti ja ke nevojën sot për çdo gjë, deri dhe për sigurinë.

Më konkretisht: sikur të donte Turqia, Erdogan do kish urdhëruar Thaçin që ta hiqte urdhërin administrativ vendosur nën qeverisjen e tij. Mund ta bëjë dhe sot këtë gjë me Albin Kurtin. Por nuk e ka bërë dhe i duhet hequr vërejtje madje për këtë.

Nga ana tjetër, që islamofobia kosovare ka dhe ligësi brenda, kjo shihet te mosmirënjohja. Të gjithë e dimë se mosmirënjohja është në thelb dhe ligësi. Dhe kur vjen puna te Turqia, atë e kanë të theksuar këtë.

Turqia është njohësja e parë e pavarësisë së Kosovës dhe sot, në zhvillimet globale euraluftë, është garancia bazë e Kosovës që ajo mos cenohet në asnjë rast. Është fat historik madje që një aleat pa kushte i shqiptarëve si Turqia, është sot fuqi globale që ja kanë si frikën e si nevojën të gjithë, edhe dy fuqitë globale si SHBA dhe Rusia. Është fat jo vetëm për sigurinë por dhe për çdo lloj nevoje tjetër. Edhe investimet turke në Serbi bëhen në finale për sigurinë e Kosovës, sipas një lloj shahu ekonomiko-diplomatik.

Dhe çfarë tregon realiteti në lidhje me Turqinë në raport me shqiptarët, është pasqyrë e asaj çfarë ka qenë e djeshmja osmane, e shtrembëruar nga një historiografi e pacipë, me rrënjët në atë lloj nacionalizmi vulgar dhe fshataresk që është baza e injorancës uluritëse të islamofobëve, pa llogaritur këtu mungesën e një kulture minimale të dijeve fetare. Flasin për fe, pa njohur ABC-në e besimit ose besimeve. Dhe duke mos patur një formim qoftë dhe minimal, ajo çfarë thonë më pas është thjesht një mit që gjallon në kokëboshjen e ububushme, nga e cila del një ligësi e pacak.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu