Një fantazmë po e përndjek Gjermaninë, spektri i së majtës. Ndërsa Kristiandemokratët e Angela Merkel mbeten prapa në sondazhe në javët e fundit të fushatës para zgjedhjeve federale, tani ekziston një mundësi reale e formimit të një koalicioni të krahut të majtë, që mund të përfshijë partinë e së majtës ekstreme Die Linke.
“Ata nuk do të pranojnë kurrë të angazhohen me NATO-n”- tha Armin Laschet, udhëheqës i CDU të Merkel, dhe pasardhësi i saj i mundshëm në një debat televiziv me rivalët e tij të dielën e kaluar. Ai donte të dinte nëse Olaf Scholz, kandidati për kancelar nga radhët e socialdemokratëve të SPD-së, dhe Annalena Baerbock e të Gjelbërve, do ta përjashtonin apo jo një koalicion të mundshëm me Die Linke.
Asnjëri prej tyre nuk e bëri këtë. Për Armin Laschet dhe shumë njerëz në kampin e tij konservator, perspektiva që një partie ekstremit të majtë të bëjë pjesë në një qeveri gjermane, është aq shumë e neveritshme saqë ata supozojnë se do të vendoste frikën e Zotit edhe tek votuesit e tyre.
Prandaj Laschet përdori pjesën më të madhe të fjalës së tij në atë debat, duke thënë se rivalët e tij po shqyrtonin mundësinë e bashkëpunimit me një parti që nuk është e angazhuar për sigurinë ushtarake, që mbron emigracionin masiv, dhe që dëshiron të kufizojë kompetencat e shërbimit sekret gjerman.
Por sa gjasa ka që SPD dhe të Gjelbrit të bashkëpunojnë me Die Linke për të formuar një koalicion midis ekstremit të majtë dhe qendrës së majtë? Në letër, kjo duket e realizueshme. Shumica e sondazheve tani e pozicionojnë SPD-në përpara CDU-së së Laschet me një diferencë të caktuar (respektivisht23 dhe 22 për qind).
Nëse gjërat qëndrojnë po kështu të dielën e 26 shtatorit, atëherë do të jetë Olaf Scholz ai që do të nisë bisedimet për të formuar një shumicë qeverisëse. Ai mund ta përjashtojë nga negociatat partinë e Laschet, dhe në vend të CDUtë ftojë të Gjelbrit (aktualisht me 18 për qind të votave në sondazhe) dhe Die Linke (aktualisht në 7 përqind).
Për momentin, kjo do t’i linte ende më pak se 50 përqindëshi i kërkuar për një maxhorancë, por trajektorja e sondazheve mbetet në favorin e tyre. Por ndërkohë në praktikë, do të ishte e vështirë që ndonjë nga partitë kryesore të bashkëpunonte me Die Linke, në rast se kjo e fundit do të këmbëngulë mbi disa nga politikat e saj kryesore.
Laschet pati të drejtë kur foli për qëndrimin e Die Linke ndaj NATO-s. Kjo parti e cilëson hapur atë si një “relike të Luftës së Ftohtë”. Ajo kërkon “shpërbërjen dhe zëvendësimin e saj me një sistem kolektiv të sigurisë, që të përfshijë edhe Rusinë, dhe që të ketë në fokus çarmatimin global”.
Kjo qasje nuk do t’i lejonte as të Gjelbrit të ndiqnin politikën e tyre të jashtme “më parimore” ndaj Rusisë, dhe as nuk do ta lejonte SPD të respektonte angazhimin e saj “të panegociueshëm” ndaj anëtarësimit të Gjermanisë në NATO.
Përveç këtyre pikave shumë specifike, opinioni i partisë të së majtës ekstreme, përplaset edhe me ato të qendrës së majtë. Disa nga deklaratat e krerëve të Die Linke, u ngjajnë atyre të një epoke të dikurshme:“Sot, teksa kapitalizmi është shndërruar në një sistem global të shfrytëzimi të njerëzimit,ai e zhyti qytetërimin njerëzor në një krizë globale. Ne jemi të bindur se kjo krizë mund të luftohet vetëm nëse kapërcejmë sistemin kapitalist të shfrytëzimit të njeriut nga njeriut”.
Një pjesë e kësaj retorike marksiste buron nga fakti se Die Linke i ka rrënjët e saj në Gjermaninë Lindore. Deri në fundin e vitit 1990, 98 për qind e anëtarësisë së saj kishte qenë gjithashtu anëtare e Partisë Komuniste të Republikës Demokratike Gjermane (Gjermania Lindore).
Kjo parti është përpjekur të ndryshojë disi duke iu bashkuar organizatave në Gjermaninë Perëndimore, siç është fraksioni i shkëputur nga SPD, Alternativa Zgjedhore. Që nga bashkimi më të në vitin 2007, ajo kishte një strukturë udhëheqëse të dyfishtë me një përfaqësim në Gjermaninë Lindore dhe atë Perëndimore.
Tani anëtarësia në Gjermaninë Perëndimore përbën shumicën, duke sjellëme vete ish-peshat e rënda të SPD-së si Oskar Lafontaine, kandidat i dikurshëm për kancelar dhe ministër i Financave në qeverinë e Gerhard Schröder.
Por bashkimi me fraksionet e majta ekstreme të Gjermanisë Perëndimore, nuk e ka bërë më të pajtueshëm qasjen e Die Linkeme liberalizmin e qendrës së majtë. Kjo parti vazhdon të jetë një kritike e fortë e BE-së, sidomos ndaj asaj që ajo e sheh si drejtimi “neoliberal” i politikës së saj ekonomike.
Po ashtu ajo synon të shtetëzojë industritë kryesore, edhe nëse kjo nuk do të sjellë një ekonomi të planifikuar në shkallë të plotë. Por asnjë nga këto synime nuk mund të arrihet realisht brenda një koalicioni me SPD dhe të Gjelbrit. Die Linke ka qenë dhe është përfshirë në disa qeveri në nivel landesh, kryesisht në ish-Lindjen, por edhe në Bremen në Gjermaninë Perëndimore.
Ajo priret të jetë partnerja më e vogël në koalicionet me SPD, ku ndonjëherë i shtohen edhe të Gjelbrit. Por qeveritë e landeve merren me çështjet lokale,dhe nuk vendosin mbi një vizion më të madh për vendin. Është shumë më e lehtë të ulesh me Die Linke dhe të vendosësh nëse duhet apo jo të zgjerohet rrjeti i autobusëve urbanë në Erfurt.
Por është krejtësisht një gjë tjetër të arrish kompromisi mbi angazhimin e Gjermanisë ndaj NATO -s. Ideja e një koalicioni të krahut të majtë midis SPD, Linke dhe Green, siç u përmend nga Armin Laschet, nuk është tërësisht imagjinare.
Por ajo siguron të gjitha llojet e problemeve për partitë e qendrës së majtë, teksa e majta ekstreme do të duhej të braktiste gati të gjitha politikat e saj kryesore, për t’u bërë pjesë e qeverisjes. Nëse gjëja më e mirë që mund të bëjë pasardhësi i Merkelit është të krijojë spektrin e një koalicioni me të majtën ekstreme, kjo nuk është një shenjë e mirë.
“Votoni për ne,pasi s’duhet të votoni për ta”, është në rastin më të mirë një ofertë jo frymëzuese. Por me 7 për qind të votave, Die Linke nuk bart frikën nga lëvizjet komuniste të së kaluarës. Është spektri i politikanëve jo frymëzues ai që po përndjek votuesit gjermanë, dhe jo komunizmi.
Nga Katja Hoyer, The Spectator









