A po ndërron mendje Ali Ahmeti? “Grupi i zjarrit” pozicionohet mirë në kryesi të BDI-së

“Zhvillime dramatike në BDI” i cilëson një burim i TV21 ato që kanë ndodhur këto 24 orët e fundit brenda integrisëve. Kur dukej dhe pritej që kryetari Ali Ahmeti minimalisht do të pranonte kërkesat e të paknëaqurve të njohur si “grupi i zjarrit”, duke i lënë jashtë udhëheqësisë së partisë një pjesë të të revoltuarve, gjithçka ndryshoi!

Nga emrat që sot qarkullonin për postet drejtuese të partisë, nga “grupi i zjarrit” dukej se ishte “rehatuar” vetëm Izet Mexhiti duke u propozuar si nënkryetar i BDI-së. Në po këtë listë fillestare si nënkryetare ishte propozuar edhe deputetja nga Gostivari Arta Zendeli-Bilalli, ndërsa Valdet Xhaferi si Sekretar organizativ, dy figura që tek integristët dihet hapur se nuk bëjnë pjesë te njerëzit e afërt të Nevzat Bejtës. Më pas, si për çudi këto dy emra zhduken nga lista e përfolur por që ende nuk ishte konfirmuar nga partia. Nga kjo me sa duket mund të nënkuptohet se Nevzat Bejta është rikthyer “në lojë” duke i larguar këto dy propozime për funksione në parti. Tash përflitet që Saranda Imeri do të propozohet si Sekretare për barazi gjinore, e që njihet si njeri i afërt me bashkëpartiakun Bejta nga dega e Gostivarit.

Emër tjetër nga “grupi i zjarrit” që përflitet se mund të marrë post në parti është Blerim Bexheti si Sekretar organizativ, aktualisht kryetar i Sarajit. Nga ana tjetër, përveç Izet Mexhitit, tre nënkryetarë të ardhshëm përfliten Arbër Ademi nga dega Likovë-Kumanovë si dhe Bajram Rexhepi e Arbana Pasholli.

Se çfarë ndodhi brenda 24 orëve dhe si “grupi i zjarrit” e bindi Ali Ahmetin që t’i ndryshojë emrat fillestarë, mbetet për t’u parë ditëve të ardhshme. Kërkesa kryesore e “grupit të zjarrit” mbetet largimi i Artan Grubit nga posti i zëvendëskryeministrit të parë, por burime të TV21 brenda partisë thonë se Ali Ahmeti asnjëherë nuk do ta pranojë këtë kërkesë.

Për nesër është caktuar mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së ku pritet të votohen kryesia e re partiake, që sipas burimeve të TV21, duhet të jetë vetëm formalitet pasi që shumica e kompromiseve janë “rehatuar” në mbledhjen e sontme në selinë e partisë në Reçicë të Vogël./TV21


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu