Sali Berisha është ulur të shkruaj një tekst të gjatë lidhur me aktin e shpalljes “non grata” nga SHBA, ku ai vë theksin në dy kollona kryesore: E para se ai është një proamerikan i madh që i ka shërbyer rolit hegjemonik të Amerikës, me aq sa ka pasur mundësi, kur ka qenë në pushtet.
Po atëhere si është e mundur që ai u godit kaq fort nga Uashingtoni? Si shpjegohet paradoksi i këtij politikani që vetëpretendon të jetë pro amerikan, por mandata i vjen pikërisht nga sekretari i shetit i këtij vendi, Antony Blinken?
Shpjegimi i kësaj dileme përbën kolonën e dytë të reagimit të Berishës. Ai e sheh këtë padrejtësi si të lidhur me konspiracionin e multimiliarderit George Soros, “protektorit dhe mikut të ngushtë të Edi Ramës”.
Me një ton gati prej vasali ndaj hiperfuqisë, që nuk ka qenë tipik gjatë karrierrës së tij politike, Berisha kujton të gjitha rastet, kur qoftë si president në fillim të viteve ‘90, qoftë si kryeministër pas 2005-ës, ai është vënë në shërbim të interesave të SHBA-së.
Ai sjell në vëmendje se si hapi aeroportin e Gjadrit për avionët spiunë amerikanë gjatë konfliktit në Ish Jugosllavi, se si bashkëpunoi në luftën kundër terrorrizmit islamik dhe se si deri, në fund si kryeministër, pranoi strehimin e 220 anëtarëve të parë të opozitës iraniane MEK në Shqipëri.
Madje Berisha nënvizon se ndryshe nga qeveria pasardhëse e Ramës, kur ai ka qenë në pushtet vota e vendit në OKB ka shkuar sinkron gjithnjë me atë të SHBA-së.
Dhe meqë kjo karrierrë prej atlantisi të thekur nuk përputhet aspak me vendimin e 19 majit 2021 të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, për shpalljen persona non grata të tij, të Liri Berishës, të vajzës Argita dhe djalit Shkëlzen, për korrupsion domethënës, ai e vë gishtin mbi njeriun që është targeti i të gjithë idhtarëve të teorive konspirative në botë.
“Me George Sorosin kam një histori të gjatë kundërshtimesh e mosmarrëveshjes të forta” shkruan ish kryeministri që e pranon hapur se e ka denoncuar spekulantin e bursave “si korruptuesin kryesor të politikës shqiptare”. Berisha pohon se ka pasur tre përplasje madhore me politikat e Soros: e para që lidhet me reformën në drejtësi që fondacioni i tij e vuri krejtësisht në favor të partisë në pushtet. Së dyti me kundërshtimin e planit që mbante vulën e këtij fondacioni, për coptimin e kufijve të Kosovës. Dhe së treti me kritikat ndaj qeverisë Rama për të lejuar kompanitë e naftës në pronësi të Sorosit që të operojnë në zona ambientalisht të mbrojtura në Shqipëri, ku operacionet e naftës janë rreptësisht të ndaluara nga ligji.
Pra, thënë shkurt, versioni i Berishës është se ai ka qenë dhe mbetet një pro amerikan, që u damkos tani së fundi gabimisht falë lobimit të Xhorxh Sorosit që ka arritur të mashtrojë sekretarin e shtetit Blinken.
Ndonëse argumentat e në tekstin e gjatë të ish liderit të PD-së janë shumë më të gjata dhe të stërholluara, ky version i thjeshtëzuar duket tepër banal për tu besuar si i vertetë. Natyrisht, askush nuk e përjashton këtë pistë nga analiza, por në këndvështrimin që mbron Berisha ka disa dilema që mbeten pa përgjigje.
Pse akti i shpalljes non grata u bë menjëherë pas zgjedhjeve? Pse ai erdhi pikërisht në kohën kur Lulzim Basha po kalamendej mes njohjes dhe mospranimit të parlamentit të ri, mes squlljes tipike dhe tentimit për rrugë radikale? Pse në mënyrë të paprecedentë në tekstin e Blinkenit për Berishën bëhej aluzion edhe për Ilir Metën?
The Washington Times: Presioni ndaj Blinken mbi dyshimet e lidhjeve të Sorosit për shpalljen non grata të Berishës
Duke ngritur këto pikpyetje shumë analistë kanë hedhur hipotezat se kjo më shumë sesa një goditje hakmarrëse ndaj Berishës ka qenë një lëvizje për ti prerë krahët rrymës radikale në PD. Për të ushtruar presion mbi opozitën duke e detyruar të pranojë stabilokracinë dhe regjimin e Ramës. Se kjo është pjesë e një strategjie më të gjërë rajonale për të shpërfillur demokracinë, duke e kontrolluar Ballkanin Perendimor përmes autokratëve të fortë.
Por për këto hipoteza nuk ka asnjë gërmë në tekstin e Berishës ku më shumë bie në sy preokupimi për fatin personal dhe atë të familjes, sesa këndvështrimi i një politikani që ka aftësinë të ngrihet përtej vetes.









