Policia e Kukësit arrestoi dje Enes Begollin nga Mitrovica, i cili ka luftuar në krah të ISIS-it gjatë konfliktit në Siri. Mësohet se arrestimi i tij nuk ka qenë aspak rastësor, pasi personazhi në fjalë ishte vazhdimisht nën vëzhgimin e strukturave të anti-terrorit.
Sipas të dhënave, i riu nga Kosova ka ardhur dhe ka kontaktuar disa persona, të cilët janë në survejim nga strukturat e Antiterrorit dhe më pas ai është mbajtur në mbikëqyrje gjatë gjithë qëndrimit të tij këtu, shkruan “Panorama”.
Gjithashtu, gjatë verifikimit të identitetit të tij, ka rezultuar se ai ishte i dënuar në Kosovë për përfshirjen e tij si pjesëtar i ISIS-it. “Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare, pasi ka qenë i dënuar nga ky shtet me 4 vite burg, si i dyshuar se ka qenë luftëtar në Siri, si pjesëtar i ISIS-it.
Pas kryerjes së procedurave ligjore nga ana jonë, ky shtetas iu dorë- zua strukturave të Policisë së Kosovës nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës, Kukës”, thuhet në njoftimin e dhënë nga Policia.
Policia bëri të ditur se Policia Kufitare e Morinës ishte sinjalizuar për të mos e lejuar kalimin, ndërsa kanë qenë vetë strukturat e Antiterrorit që e kanë kryer arrestimin, pasi kanë qenë në ndjekje të tij.
Pasi është marrë në pyetje, ai i është dorëzuar Policisë së Kosovës, nga ku do të vuajë dënimin e më- sipërm, i cili ka marrë formën e prerë për pjesëmarrje në grupet terroriste që luftojnë në Siri.