Albin Kurti: Nuk ka popuj të vegjël, dëshmi për këtë është Kroacia

Kryetari i Lëvzjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se Kroacia sot ka treguar se përkushtimi, puna e mosdorëzimi i bën të mëdhenj edhe popujt e vegjël.

Kroacia sot arriti ta mposhtë në gjysmëfinale Anglinë, për të shkruar historinë – kualifikimin për herë të parë në finale të Kupës së Botës, transmeton Koha.net.

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

Nuk ka popuj të vegjël

Kupa e botës është kulmi i lëvizjes futbollistike në glob, mirëpo organizimi i botës në shtete dhe i përfaqësueseve futbollistike në skuadra kombëtare, e bën të pashmangshme perspektivën politike. Ndoshta shumëkush do që prania e politikës në sport të zbehet, mirëpo prezenca e presidentëve e kryeministrave në shkallët e stadiumeve, vetëm sa e konfirmon dimensionin e rëndësishëm politik të një ngjarje të tillë.

Fitorja futbollistike e Kroacisë përballë Anglisë, vendit ku kjo lojë u shpik e ku luhet një prej kampionateve më të forta e më të pasura në botë, tregon se përkushtimi, puna e mosdorëzimi i bën të mëdhenj edhe popujt e vegjël. Sigurisht edhe përkujdesja e investimi te rinia, te talentet, ashtu si edhe fryma e theksuar patriotike, që i ka bërë edhe yjet kroatë të lindur e të rritur në vende të tjera, të kthehen në Kroaci.

Jemi të lumtur që një nga fqinjët tanë dashamirë shkoi në finale, ashtu siç na vjen keq për anglezët, sepse dhe Anglia është vend mik i shqiptarëve. Shqipëria e Kosova fatkeqësisht nuk po e gjejnë rrugën e bashkimit në futboll, ndërkohë që në të dyja vendet politikat për sportin nuk janë aty ku duhet. Megjithatë, me shqiptarët e Zvicrës që shënuan ndaj Serbisë, e me Kroacinë në finale, ky botëror ka qenë interesant edhe për ne.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu