Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se ka liruar nga detyra këshilltarin e tij Shkëlzen Gashi. Kurti ka thënë se deklaratat e Gashit, patën pasoja shpërqendruese nga puna e qeverisë në detyrë.
Sipas Kurtit është më mirë që debatin në të cilin është përfshirë ai të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit të tij.
Njoftimi i plotë:
“Sot e kam takuar dhe më pas e kam liruar nga detyra këshilltarin tim politik, z. Shkëlzen Gashi.
Disa deklarata të djeshme të tij patën pasoja shpërqendruese nga puna e mirë e qeverisë në detyrë. Konsideroj që është më mirë që debatin në të cilin është përfshirë ai të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit tim.
E falenderoj për kontributin e dhënë. E çmoj për mendimin kritik. Ka aq shumë gjëra për të cilat pajtohemi në të tashmen, ka edhe të atilla për të cilat nuk pajtohemi nga e kaluara. Z. Gashi nuk është një bashkëbisedues i lehtë. Nga kjo vështirësi kam mësuar” – ka shkruar Kurti në shkrimin e tij në Facebook.










