ASH: Qytetarët tashmë e dinë se ryshfeti dhe haraçi janë rregull në pikat kufitare të vendit

Rroga e vogël, fitimi i madh

Kjo thënie që tanimë eshtë bërë popullore për të përshkruar korrupsionin e nivelit të lartë, karakterizon më së miri gjendjen në të cilën gjendet vendi ynë i kapluar në çdo sferë nga murtaja e korrupsionit.

E përshkruan më së miri, sepse korrupsioni tanimë është bërë i gjeneralizuar dhe motivi për të hyrë në politikë, për të punuar në ndonjë ministri, agjenci shtetërore, në drejtësi, në universitet apo në klinikë, për një pjesë të konsiderueshme të zyrtarëve të shtetit të partizuar dhe të paprekshëm nga drejtësia, nuk është më përmirësimi i jetës së qytetarëve apo rroga e sektorit publik. Motivi kryesor për këta zyrtarë është përqindja që fitohet nga tenderi publik, ryshfeti dhe dhuratat nga rrjetet e krimit të organizuar. Dhe sektori i sigurisë tanimë është një ndër më të prekurit nga korrupsioni.

Ky realitet sqaron se si oligarku rus i sanksionuar nga ShBA fitoi shtetësinë e Maqedonisë së Veriut. Ai sqaron poashtu se si politikanët, gjyqtarët, prokurorët, por edhe zyrtarët e lartë policorë e doganorë bëjnë jetë luksoze, me shtëpi e vetura të shtrenjta dhe pushime në vendet e largëta që qytetarët tonë i shohin vetëm në filma.

Ky sekret publik u konfirmua mbrëmë nga aksioni në pikën kufitare të Tabanocit, ku u sekuestruan sasi të konsiderueshme parash. Sekret publik, sepse çdo qytetar i këtij vendi e di se ryshfeti dhe haraçi janë rregull në pikat kufitare të vendit, të cilat janë çerdhe të krimit dhe korrupsionit.

Pra, qytetarët e dinin se zyrtarët policorë e doganorë të arrestuar mbrëmë janë të kriminalizuar. Qytetarët gjithashtu e kuptojnë se pse ky aksion holiudian ndodhi pikërisht mbrëmë nëpër terr dhe në vlugun e madh të mërgimtarëve që kthehen në vendlindje, sepse ata tanimë janë të mësuar me skenarët gruevist që karakterizojnë qeverisjen 20 vjeçare të BDI-së.

Andaj edhe ne nuk kemi se si të mos dyshojmë se ky aksion u zbatua për të mbuluar skandalin më të madh të ditëve të fundit në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kjo është videoja e Zëvendës Ministrit, Bushi, që është bërë virale në rrjetet sociale.
Në atë video, na shfaqet zëvendës ministri i brendshëm duke bërë qejf në suitën presidenciale të një ndër hotelet më luksoze të Stambollit ku nata kushton hiç më pak se 20.000 euro. Pra, një ministër me rrogë mujore prej 1.000 euro dhe asnjë pasuri të deklaruar në emrin e tij në Komisionin Antikorrupsion, bën qejf me familje në një hotel ku nata kushton 20.000 euro.

Ky është ilustrimi më i mirë i thënies rroga e vogël, fitimi i madh dhe i një luksi të pasqarueshëm e të pajustifikueshëm në bazë të gjendjes faktike. Pra, ose zëvendës ministri ka gënjyer në deklaratën e tij të pasurisë ose dikush ia ka paguar qëndrimin 20.000 euro në natë në Stamboll. Nëse ka gënjyer, duhet të mbajë përgjegjësi sipas ligjit. Nëse ky qëndrim ka qenë dhuratë, ai përsëri duhet të japë llogari, sepse dhuratat që marrin zyrtarët qeveritarë nga palë të treta rregullohen me ligj për shkak të rrezikut për konflikte të interesit, aq më tepër në një sektor të ndjeshëm si punët e brendshme.
Është një thënie tjetër që karakterizon realitetin tonë korruptiv. Peshku kalbet nga koka. Andaj, në vend të zyrtarëve të Tabanocit që janë bishti i korrupsionit, i bëjmë thirrje prokurorisë që të hetojë kokën e korrupsionit në Ministrinë e Brendshme.

Ky rast është edhe një arsye më tepër se pse nuk mund të luftohen krimi e korrupsioni pa pikat tanimë të paraqitura nga Aleanca për Shqiptarët për të vendosur shtetin e së drejtës: veting në politikë, veting në drejtësi, konfiskim i pasurive të pajustifikueshme dhe dyfishimin e investimeve publike në gjyqësor, në prokurorinë publike dhe në institucionet përgjegjëse për parandalimin e korrupsionit. Ky rast poashtu është shembull eklatant për ekipin e hetuesve nga ShBA që po përgatisin zgjerimin e listës së zezë të zyrtarëve të korruptuar në Maqedoninë e Veriut.
– Aleanca për Shqiptarët –


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu