Australia thotë se Franca kishte dijeni për shqetësimet “e mëdha” rreth nëndetëseve

Franca duhet ta kishte ditur që Australia kishte “shqetësime të thella dhe të mëdha” se flota e nëndetëseve që po ndërtonin francezët nuk do të plotësonte nevojat australiane, tha kryeministri Scott Morrison pas krizës diplomatike që shkaktoi anulimin e kontratës.

Franca akuzoi Australinë se ka mbajtur fshehur synimet e saj për t’u tërhequr nga kontrata 90-miliardë-dollarëshe-australiane (66 miliardë dollarë amerikanë) me kompaninë shtetërore franceze Naval Group për të ndërtuar 12 nëndetëse konvencionale me naftë-elektrike.

Presidenti Joe Biden zbuloi javën e kaluar një aleancë të re duke përfshirë Australinë dhe Britaninë, që do t’i dërgonte flotës australiane të paktën tetë nëndetëse me energji bërthamore. Morrison për ndryshimin e bërë fajësoi mjedisin strategjik të përkeqësuar në Indo-Paqësor. Ai nuk i është referuar posaçërisht ngritjes masive ushtarake të Kinës, e cila ka fituar ritëm vitet e fundit.

Aftësia që nëndetëset e klasës Attack do të siguronin nuk ishte ajo që i duhej Australisë për të mbrojtur interesat tona sovrane“, tha Morrison.

Ata duhet të kishin çdo arsye për të ditur që ne kemi shqetësime të thella dhe të mëdha se aftësia e ofruar nga nëndetësja e klasës Attack nuk do të përmbushte interesat tona strategjike dhe ne e kemi bërë shumë të qartë se do të merrnim një vendim bazuar në interes strategjik kombëtar”, shtoi ai, duke iu referuar qeverisë franceze.

Franca iu përgjigj anulimit të kontratës, për të cilën Morrison ka thënë se do t’i kushtojë qeverisë së tij të paktën 2,4 miliardë dollarë australianë (1,7 miliard dollarë amerikan), duke tërhequr ambasadorët e saj nga Australia dhe Shtetet e Bashkuara.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian të shtunën denoncoi atë që ai e quajti “dyftyrësi, përbuzje dhe gënjeshtra”, duke përshkruar ndërprerjen e papritur të kontratës, dhe tha se Franca tani ka vënë në dyshim fuqinë e aleancës. Kina e ka quajtur dërgimin e teknologjisë së tillë bërthamore amerikane dhe britanike si të papërgjegjshme.

Franca fitoi kontratën në vitin 2016 përballë ofertave nga Gjermania dhe Japonia. Shortfin Barracuda do të ishte model i nëndetëseve bërthamore për t’u përshtatur me naftë në sipërfaqe dhe bateri nën ujë.

Japonia ishte veçanërisht e zhgënjyer sepse kryeministri i atëhershëm Tony Abbott i kishte premtuar kontratën aleatit të ngushtë të mbrojtjes para se të rrëzohej nga partia e tij në vitin 2015. Qeveria ka hedhur poshtë raportet e mediave për prishjet midis partnerëve në projektin e nëndetëseve franceze dhe vonesat në datën origjinale të dorëzimit të vitit 2027.

Nëndetëset e para bërthamore të Australisë nuk pritet të dorëzohen deri në vitin 2040. Ministri i Mbrojtjes Peter Dutton tha se qeveria e tij është e gatshme të merrte me qira nëndetëse bërthamore nga Shtetet e Bashkuara derisa të ndërtohet flota Australiane.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu