Zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë në tyezën e 27 ministrave të çështjeve europiane të Bashkimit Europian.
Tema do të diskutohet në fund të axhendës së takimit të ministrave, e inkuadruar në pikën AOB (any other business), që ka të bëjë me çdo çështje tjetër që mund të ngrihet nga një shtet anëtar ose presidenca e radhes se BE-se.
Diplomatë europianë kanë konfirmuar për ABC, se shteti që e ka kërkuar këtë diskutim është Austria. Ministrja austriake e çështjeve europiane, Karoline Edstadler ka kryer së fundmi një vizitë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ku është takuar me përfaqësues të qeverive dhe opozitave respektive.
Diplomatë europianë kanë treguar për ABC, se ministrja dëshiron të njohë 26 shtetet anëtare lidhur me këto dy vizita dhe qëndrimin e Austrisë për të gjetur rrugë lidhur me zhbllokimin e situatës në kuadrin e politikës së zgjerimit, ku aprovimi i kuadrit negociues me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë mbahet pezull nga vetoja e Bullgarisë lidhur me qasjen e saj për çështjen e gjuhës dhe histories në kuadrin e Traktatit të Miqësisë Bullgari-Maqedoni e Veriut.
Kjo është e vetmja pengesë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që për Shqipërinë edhe pas aprovimit të kuadrit negociues, shtete anëtare duhet të shprehen nëse Shqipëria ka përmbushur kushtet për konferencën e pare ndërqeveritare.
Në qendër të vëmendjes në këtë kuadër do të jenë zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, duke qenë se reforma zgjedhore dhe zbatimi i saj përbëjnë parakushtin e pare për mbajtjen e konferencës së pare ndërqeveritare me vendin.
Në pritje të raportit përfundimtar të OSBE/ODHIR, shtetet anëtare po njihen ndërkohë me shkeljet dhe parregullsitë që kanë ndodhur gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit.
Nga Erisa Zykaj









