Gareth Bale, futbollisti i Real Madrid, është shfaqur para gazetarëve në konferencë për media para ndeshjes kundër Azerbajxhanit, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2020.
Uellsiani nuk kishte se si t’i ikte pyetjeve për atë që ndodhi gjatë verës.
Ai ishte me një këmbë jashtë, këtë e kishte konfirmuar edhe Zindine Zidane, por në fund, befasisht, edhe pse nuk pëlqehet nga trajneri francez – Gareth Bale qëndroi dhe tani është titullar i padiskutueshëm në formacionin e Zizu, që e ka nisur keq sezonin (një fitore e dy barazime).
“Gjërat që ndodhën gjatë verës, vazhdojnë të jenë private, por nëse doni përgjigje, atëherë duhet të pyesni klubin”, i është drejtuari Bale gazetarit në konferencë për media kur u pyet se çfarë ndodhi që në fund qëndroi, e nuk u largua pas gjashtë viteve nga “Santiago Bernabeu”.
Kurse, sa i përket kritikave që uellsiani merr pothuajse gjithmonë në Madrid, ai tha “ata nuk e dinë se për çfarë po flasin”.
Uellsi e zhvillon të premten me Azerbajxhanin sfidën e vlefshme për kualifikimet Euro 2020.










