Ballkani konsiderohet si “Tezga e Europës”

Franca, Holanda dhe Danimarka janë bërë “gjemb në këmbë” për zgjerimin e BE-së, konkretisht të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht rekomandimeve për nisjen e procesit të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, shkruan Euronews.

Ndonëse liderët e vendeve po e vajtojnë situatën, duket se as intervenimi i fuqive “dashamirëse” nuk po ndikon në shkrirjen e këtyre ftohjeve.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, lidhur me “ngërçin” ka thënë se “vendi duhet të përballet me faktin se Këshillit nuk i intereson ajo që e bëjnë, e as në atë se cilat vende na pëlqejnë apo jo, por se anëtarësimi varet nga politikat dinamike të brendshme të anëtarëve të ndryshëm të Unionit.”

Një studim i ri tregoi se opinioni publik evropian ishte kryesisht i acaruar kur bëhet fjalë për fqinjët e rinj – dhe kjo erdhi nga frika e imigracionit. Këtë frikë pa dyshim e mbollën Bullgaria, Rumania dhe Kroacia, qysh kur këto të trija iu bashkuan Bllokut.

Përtej opinionit publik, ka ende shumë pengesa për t’u kapërcyer përpara se vendet aspiruese të futen në Klub.

“Ka aspekte ku institucionet shqiptare në tërësi duhet të vazhdojnë të punojnë: lufta kundër korrupsionit – është një luftë e përditshme – lufta kundër krimit të organizuar, trafiku i drogës po ndryshon formë”, tha ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Luigi Soreca.

Me gjithë pengesat, anëtarësimi në Evropë mbetet një hap i rëndësishëm për Shqipërinë, pikë për të cilën Kryeministri Edi Rama theksoi: “Për ne, Evropa nuk është thjesht një proces burokratik, e as thjesht klub i vendeve të zhvilluara që e dëshirojmë, shpresojmë ose ëndërrojmë t’i bashkohemi.

“Evropa për ne është ajo që ishte për baballarët themelues të saj; para së gjithash një projekt paqeje dhe bashkëpunimi.”

Me gjithë shpresat dhe ngecjet, Evropa mbetet një ambicie e madhe për shqiptarët, të cilët mbase e kanë kuptuar se vjen sa me benefite, aq edhe me përgjegjësi. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu