Shoqata e Kulturës dhe Solidaritetit e Rumelive dhe Ballkanasve, e cila vepron në komunën Kyçykçekmexhe të Stambollit, në bashkëpunim me OH “El Hilal”, dërgoi një kamion me ndihma humanitare për popullatën e dëmtuar nga përmbytjet në Shkup.
Ky kontingjent i ndihmave përbëhet nga pajisje për amvisëri, elemente për kuzhinë, qilima, shtroje të ndryshme, batanije dhe veshmbathje primare për qindra familje shtëpitë e të cilëve u vërshuan para më se një muaji.
Dje filloi shpërndarja e frigoriferëve, lavatriçeve, aparatave për nxehje, furrave elektrike, dyshekëve, qilimave dhe veshmbathjeve të ndryshme. Ky aktivitet do të vazhdojë deri në ditën e festës së Bajramit.
Përveç se në Hasanbeg, ndihma do të ndahen edhe në Inxhikovë, lagjet Gazibabë dhe Dizhon të Shkupit.
Ky projekt i “El Hilal”-it realizohet edhe me kontributin e madh të komunave Kyçykçekmexhe dhe Çair të Shkupit si dhe Ministrisë së Ambientit Jetësor të Maqedonisë.