Samiti i Sofjes duket se e ka lënë të frustruar kryeministrin Edi Rama.
Liderët e Bashkimit Europian nuk deklaruan asgjë konkrete për integrimin, duke premtuar vetëm se e ardhmja e Ballkanit është në BE.
Dreka me liderët e BE-së duket se ka qenë e tensionuar dhe këtë e pranon edhe vetë Edi Rama, që tha se ishte si një luftë.
“Elefanti ishte në dhomë, kështu që duhej të flisnim për të,” tha Rama për “The Guardian”.
Rama e krahasoi angazhimin e mjegullt të BE-së për Ballkanin me premtimin komunist për të ardhmen e shndritshme, që ishte aty afër.
“Ne jetuam për 50 vite me një horizont të kuq, që nuk e arritëm kurrë. Nuk duam të jetojmë me një horizont blu tani,” tha Rama.
Muajin që vjen, vendet e BE do të vendosin nëse do hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Vendet skeptike janë Franca, Gjermania dhe Holanda. Me kryeministrin e Holandës, Rama pati edhe një takim.










