BE: Brukseli nuk qëndron prapa “non-paper”, të mos shpërndahen lajme të rreme që krijojnë telashe

Dokumenti i fundit i pretenduar “non-paper”, në të cilin flitej për një marrëveshje Kosovë-Serbi, është komentuar dhe ka nxitur reagime në skenën politike vendore, në Serbi, por edhe në diplomacinë ndërkombëtare. Në media qarkulluan lajme ku thuhej se prapa këtij dokumenti qëndrojnë, Gjermania dhe Franca, e së fundmi edhe dikush nga zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Gjermania dhe Franca reaguan menjëherë duke hedhur poshtë zërat se këto dy vende mund të qëndronin prapa këtij dokumenti.

Ndërkohë në Beograd u përmend se hartuese e ‘non-paper’ mund të ishte diplomatja holandeze, Angelina Eichhorst, me përvojë në shërbimin evropian për punë të jashtme (EEAS), aktualisht është drejtoreshë për Evropë dhe Azi të Mesme dhe njeh rrethanat në Ballkan.

E së fundmi në Serbi u tha se autore e ‘non-paper” është Maja Kocijançiq, ish zëdhënësja e Komisionit Evropian. Kocijançiq aktualisht është shefe e Kabinetit për komunikim me media e Komisionerit për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

Por, një gjë e tillë është kundërshtuar ashpër nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se këto pretendime nuk qëndrojnë.

Këto pretendime janë absolute pa kuptim. Tashmë javën e kaluar ne kemi lëshuar një demant të fortë duke refuzuar të gjithë informacionin e rremë që pretendon se dikush nga punonjësit tanë do të qëndronte pas këtij dokumenti të pretenduar. Ne i hedhim poshtë fuqishëm pretendimet në disa media në lidhje me këtë. Askush nga Komisioni Evropian, as Shërbimi i Veprimit të Jashtëm nuk ka të bëjë me këtë dokument të pretenduar, as nuk e ka hartuar atë as nuk e ka miratuar atë. Pretendimi i së kundërtës është thjesht i rremë. Ky pretendim për ‘non-paper’ nuk pasqyron pozicionet e BE-së dhe ne vendosmërisht distancohemi nga ajo”, ka deklaruar Stano për Telegrafin.

Stano po ashtu ka kërkuar nga mediat që të mos shpërndajnë lajme të rreme që krijojnë telashe dhe mund të krijojnë një mjedis toksik.

Ndërkaq, ditën e hënë diplomatët evropianë Miroslav Lajçak dhe Carl Bildt në një panel diskutimi shprehën shqetësimin në lidhje me dy të ashtuquajtura ‘non-paper’,

Kur ne (BE-ja) krijuam një boshllëk në rajon, të tjerët po vijnë me ide të tjera. Nëse nuk jemi seriozë me Planin A (anëtarësimin në BE për shtetet e Ballkanit), do të vijnë njerëz të tjerë me një Plan B dhe kjo është pikërisht ajo për të cilën flitet në ‘non-paperi’-in e parë”, kishte thënë Lajcak, emisar special i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi.

E, po ashtu, Bildt ishte dakord me këto konstatime të Lajçakut.

Nëse Plani A nuk funksionon, i cili humbi besueshmërinë për BE-në, atëherë keni Planin B, ‘non-papers’ dalin në tryezë”, tha Bildt.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu