BE “e prerë” me Serbinë, kushtëzon integrimin e vendit, ja pse gjithçka varet nga raportet me Kosovën

Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian (BE) ka miratuar dje vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësim me Serbinë, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e vet, Kosovën.

Ky ndryshim ka të bëjë me kapitullin 35 të kornizës negociuese, në të cilin zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën tani bëhet edhe kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në bllok. Në tekstin e ri të kornizës negociuese si kusht është vendosur kjo fjali:

“Serbia zbaton plotësisht obligimet që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Aneksit të zbatimit të saj, siç ishin pajtuar më 18 mars të vitit 2023”.

Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), të cilat edhe kishin propozuar këto ndryshime, e kanë mirëpritur vendimin e Këshillit të Ministrave për ta miratuar ato, sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.

“Të dyja palët kishin pranuar obligimet e tyre përkatëse, se Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve do të bëhej pjesë përbërëse e rrugëtimit të tyre të integrimeve evropiane. Zbatimi i Aneksit të arritur në mars të vitit 2023 reflekton këtë obligim të të dyja palëve”, tha Stano.

“Agjenda e takimit të ardhshëm të grupit special për normalizim për Kosovën do të përditësohet po ashtu. Ne presim që të dyja palët ta zbatojnë Marrëveshjen dhe të gjitha obligimet tjera që kanë mbetur nga dialogu, sepse kjo është kyçe për rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, shtoi Stano.

Pajtimin për këto ndryshime e kishin arritur ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, javën e kaluar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu