BE zgjedhjet në Shqipëri i quan të regullta dhe të qeta

Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini, Maja Kocijançiç, deklaroi se zgjedhjet lokale që u mbajtën në Shqipëri të dielën, më 30 qershor, ishin mbajtur në kontest të ndarjes politike, por në përgjithësi në mënyrë të rregullt dhe të qetë.

Kocijançiç thotë se “i morëm parasysh të gjithë vërejtjet paraprake të bëra nga shefi i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR” dhe e përsërit apelin deri te partitë politike që urgjentisht të angazhohen për tejkalimin urgjent të krizës.

“Organet lokale të sapozgjedhura tani duhet të jenë në gjendje të punojnë sipas kompetencave të tyre kushtetuese, në dobi të qytetarëve të vendit. Siç thuhet në mënyrë të përsëritur: qeveria dhe opozita duhet të tregojnë pjekuri politike dhe të angazhohen urgjentisht për dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike”, porosit Kocijançiq.

Ajo thekson se të gjitha institucionet dhe udhëheqësit politikë tani duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre në vijueshmërinë e zbatimit të procesit të reformës, duke përfshirë rinisjen e reformës së iniciuar më parë të legjislacionit zgjedhor për të adresuar rekomandimet e ODIHR.

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR në raportin paraprak për zgjedhjet vlerësoi se votuesit ishin nën presionin e të gjitha partive politike dhe se në disa raste nuk kishin votuar lirshëm dhe nuk ishin mjaftueshëm të informuar. Shefja e misionit, Edru Gllouer iu bëri thirrje aktorëve politikë që të punojnë në emër të të gjithë qytetarëve, e jo vetëm në emër të atyre të cilët i mbështesin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu