Artan Behrami, i cili ka siguruar votat e mjaftueshme për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka kërkuar hetim mbi votat e diasporës. Ai ka theksuar se Prokuroria duhet të nisë hetimin menjëherë.
Sipas Behramit, gjatë procesit të numërimit ka pranuar “shumë ankesa” për zarfa të hapur, të dyshimtë dhe dyshime për manipulim të votave të diasporës.
“Prokuroria duhet të zhvillojë një hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës për çdo mundësi të keqpërdorimit apo manipulimit të votave të diasporës. Po ashtu, ftoj të gjithë ata që kanë parë, verifikuar apo kanë informacione për parregullsi të tilla, që t’i raportojnë ato tek institucionet kompetente”, ka shkruar ai.
Behrami ka shtuar se çdo dyshim duhet të sqarohet përmes një hetimi transparent.
Të mërkurën pasdite ka përfunduar numërimi i votave me kusht dhe i atyre nga programi i votimit për persona me nevoja të veçanta. Me to është përmbyllur i gjithë procesi i numërimit. LVV-ja, si subjekti i parë, ka marrë 47.13 për qind të totalit, rezultat që ia ka siguruar asaj 53 ulëse në Kuvend, ndërsa PDK-ja 19.44%, LDK-ja 16.69% dhe AAK-ja 6.74%.










