“Beogradi nuk i ka zbatuar marrëveshjet”, Harxhi: Një përplasje Serbi-Kosovë prek gjithë Ballkanin

Më në fund Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për target në kufijtë e kohës, mes një situate të tensionuar që herë pas here dukej sikur do të eskalonte.

Për ish-zëvendësministren e Jashtme, Edith Harxhin, marrëveshja nuk është thjesht për target. Tensionet që mund të çonin në një përplasje usharake janë më shumë se kaq.

Nuk është kjo marrëveshja për të cilën është diskutuar kaq shumë. Marrëveshja ka qenë përtej kësaj dhe kjo ëhstë arsyeja pse dështoi. Dështoi sepse nuk ishin thjesht targat. Nuk mund të digjet veriu i Kosovës, nuk mund të pretendohet që serbët të hyjnë ushtarakisht në veri të Kosovës vetëm për këtë. Është ajo që kishte paralajmëruar edhe ambasadori amerikan para disa javësh, në kohën kur ne diskutojmë për bombë atomike dhe ju diskutoni për target”, tha Harxhi në “Radar Informativ”.

Sipas saj angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës erdhi pasi situata ishte në prag të një përplasjeje të fortë ushtarake dhe kjo nuk do të prekte vetëm veriun e Mitorvicës, por edhe Ballkanin.

Harxhi tha se Serbia do të guxonte të ndërmerrte një hap të tillë, dhe vuri në dukje buxhetin që Beogradi i kushton mbrojtjes, më i lartë edhe se disa vende të NATO-s, dhe mbështetjen që ka nga Rusia.

Ish-zv/ministrja komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Albin Kurti dhe synimin e tij për nje njohje reciproke, duke theksuar se ai nuk ka fituar diçka politikisht brenda Kosovës.

Ajo vuri në dukje edhe faktin që “BE e di shumë mirë që Kosova i ka zbatuar të gjitha marrëveshjet. Është Serbia ajo që nuk i ka zbatuar.”

Në fund Harxhi u ndal edhe tek padia e saj në Gjykatën e Tiranës për mosnjohjen e Lulzim Bashës si kryetar të Partisë Demokratike.

Ajo sqaroi se ka bërë një shtesë në padinë e mëparshme për mosnjohjen e zgjedhjeve të vitit 2021 brenda PD dhe vuri në dukje se ende nuk është marrë në shqyrtim dhe kur ka kaluar më shumë se një vit padia mbetet ende në fazën e seancave parapërgatitore.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu