Brenda dy viteve rreth 16 mijë kosovarë u pajisen me vizë pune të Gjermanisë

Kërkesa e kosovarëve për tu pajisur me vizë pune për në Gjermani vazhdon të rritet. Në një raport që ka publikuar Instituti GAP rreth emigrimit të fuqisë punëtore të Kosovës në Gjermani, thuhet se shtetasit e Kosovës prijnë për nga numri i aplikimeve dhe pajisjes me viza pune në krahasim me vendet tjera të rajonit.

Sipas këtij raporti të GAP, gjatë viteve 2016-2018, nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, janë shqyrtuar për aprovim gjithsej 204,638 kontrata pune, prej të cilave rreth 80% janë miratuar.

Por, vetëm 40% e tyre janë pajisur me viza pune, ku 24% e tyre, apo 15,824 kanë qenë për kosovarët.

Raporti ofron edhe të dhëna mbi sektorët dhe profesionet në të cilat shtetasit e Kosovës kanë arritur të sigurojnë viza pune, ku prijnë ndërtimtaria, hotelieria dhe shërbimet e kujdesit, ndërsa profesionet me më së paku aplikime të suksesshme janë sektori i financave, i sigurimeve dhe i edukimit, shkruan Telegrafi.

Raporti poashtu pasqyron edhe potencialin për emigrim edhe më të madh pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të emigrimit në Gjermani në mars 2020

Duke krahasuar vendet e lira të punës në secilin sektor të tregut gjerman të punës me trendet aktuale të punësimit në Kosovë, Instituti GAP ka bërë edhe projeksione mbi rreziqet e emigrimit të profesionistëve të Kosovës në vitet e ardhshme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu