Çfarë do Kina nga Afganistani pas marrjes së pushtetit nga talebanët?

Marrja e papritur e Afganistanit nga talibanët, para tërheqjes së trupave amerikane nga vendi, ka bërë që Kina të përballet me një përzierje të mundësive dhe rreziqeve, teksa përgatitet të merret me pushtetarët e rinj në Kabul.

Vetëm disa orë pasi talibanët morën nën kontroll kryeqytetin afgan, Kabul, Ministria e Jashtme kineze reagoi duke thënë se Pekini ishte i gatshëm për “bashkëpunim miqësor” me Afganistanin dhe kishte në plan që të ketë “rol konstruktiv” në rindërtimin e shtetit të shkatërruar nga lufta.

“Në bazë të respektimit të plotë të sovranitetit të Afganistanit dhe të vullnetit të të gjitha fraksioneve në vend, Kina ka mbajtur kontakt dhe komunikim me talibanët afganë dhe ka luajtur rol konstruktiv në promovimin e arritjes së një zgjidhjeje politike për çështjen afgane”, tha më 16 gusht, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying.

Skenat kaotike nga Kabuli, ku po vazhdojnë evakuimet e qytetarëve nga forcat e Perëndimit, gjithashtu shkojnë në favor të propagandistëve kinezë, ku media shtetërore po përdor këto imazhe për të çuar përpara narrativin tek audienca vendore dhe ndërkombëtare për rënien e Amerikës dhe për mosbesimin ndaj Uashingtonit.

Por, shtrirja diplomatike në Kabul dhe kënaqësia që Pekini ndien nga tërheqja e SHBA-së, si dhe evakuimi i ngadalshëm, fshehin pas vetes një pasiguri të madhe me të cilin Kina përballet në Afganistan, derisa përpiqet që të përgatisë një hartë gjeopolitike, të rimodeluar dhe një epokë të re të rreziqeve të sigurisë në Azinë Jugore dhe Qendrore, pas fitores ushtarake të talibanëve.

Top prioritetet e Pekinit

Kina ndan kufirin prej 76 kilometrash me Afganistanin dhe ka pasur një qasje më të relaksuar karshi fqinjit të saj, edhe pse tërheqja ushtarake e SHBA-së dhe rënia e Qeverisë afgane, pritet që ta ndryshojnë qasjen e Pekinit.

Pekini ka interesa ekonomike në Afganistan, veçanërisht në pasurinë e madhe minerare që ka ky shtet, por interesi kryesor i Kinës është që konflikti të mos përhapet përtej kufijve të Afganistanit.

Në qendër të këtyre shqetësimeve është sesi të frenohet paqëndrueshmëria në rajon dhe të eliminohet çdo potencial që Afganistani të bëhet strehë e sigurt për grupet terroriste, përfshirë militantët ujgurë që janë në këtë shtet. Një test i hershëm për epokën e re të raporteve mes talibanëve dhe Kinës do të jetë nëse militantët do të ndalojnë Lëvizjes Islamike të Turkmenistanit Lindor (ETIM) – një grup ujgur, të cilin Pekini e fajëson për trazira në provincën e tij perëndimore Ksinjiang – që të veprojë në tokën afgane.

Derisa shumë analistë hedhin poshtë shkallën e rrezikut që paraqesin grupet ujgure ndaj Kinës, ato shihen si kërcënim i madh nga Pekini – ku kundërterrorizmi është justifikimi kryesor i Partisë Komuniste kineze për shtypjen që bën në Ksinjiang, ku besohet se ka internuar mbi një milion ujgurë, kazakë dhe pakica të tjera myslimane.

Talibanët janë distancuar nga grupet ujgure dhe ata do të shikohen nga afër edhe nga fuqi të tjera të jashtme – si India, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara – nëse grupi militant do të lejojë që Afganistani të përdoret si bazë për operacionet e grupeve terroriste.

Përtej objektivave të ngushtë, Pekini po ashtu po kërkon që të kufizojë ekspozimin e tij në Afganistan.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu