Çfarë do të ndodhë nëse Recep Tayyip Erdogan vdes në krye të detyrës

Presidenti turk Recep Tayyp Erdogan u detyrua të ndërpresë një interviste televizive mbrëmjen e së mërkurës pasi u ndje keq. Zyra e shtypit tha se kreu i shtetit pati disa probleme momentale me stomakun. Por brenda vendit qarkullojnë zëra se presidenti ka pësuar një atak në zemër dhe se gjendja e tij u përkeqësua gjatë kohës që ishte shtruar me urgjencë në spital.

Turqia është një shtet policor dhe autoritar pa media të lira, prandaj është e pamundur që të dihet e vërteta. Çdo demokrat zgjohet çdo mëngjes duke e ditur se kur do të përfundojë mandati i tij. Çdo diktator zgjohet duke u shqetësuar se dita e sotme mund të jetë e dita e tij fundit.

Erdogan ka qenë prej kohësh në kampin e dytë. Mos kini asnjë iluzion: i tij do të përfundojë me vdekje, internim, burgim apo ekzekutim. Koncepti se një njeri që e përçmon demokracinë do të tërhiqet vullnetarisht nga pushteti apo do të lejojë monitoruesit e zgjedhjeve ta konfirmojnë se ai është një humbës është i pavërtetë.

Kjo mbetet një fantazi diplomatësh dhe ekspertësh. Nëse Erdogan vdes ose nëse ai përdor krizën e tij shëndetësore për t’ia kaluar postin një të afërmi apo pengu të tij, as Shtetet e Bashkuara dhe as Evropa nuk duhet që të festojnë. Pas 20 vitesh erdoganizëm, nuk ka një rikthim të lehtë në statuskuonë e vjetër.

Gjatë kësaj periudhe, Erdogan ka vendosur nën kontrollin e tij të rreptë sektorin bankar dhe bordet shtetërore. Ai ka qenë në gjendje të indoktrinojë (ose të paktën është përpjekur t`i ‘shpëlajë’ trurin) më shumë se 30 milionë nxënësve dhe studentëve.

Edhe pse mund të mos ketë arritur të krijojë “brezin fetar” që premtoi – shoqërimi i fesë me korrupsionin në mendjet e shumë turqve ishte një frenim i natyrshëm për përpjekje të tilla – ai ndezi flakët si të konspiracionizmit po ashtu edhe të nacionalizmit ekstrem.

Të diplomuarit në shkollat fetare dhe ideologët erdoganistë, dominojnë tani të gjithë burokracinë shtetërore. Nëse nuk do të ketë një spastrimi masiv të tyre, do të jetë e pamundur që ata të largohen vetë. Po ashtu ai e ka transformuar ushtrinë turke: çdo ushtar, marinar dhe pilot ia detyron karrierën dhe avancimin e tij në karrierë besnikërisë ndaj Erdogan.

Ata që vunë në krye interesat e vendit janë në burg. Ekonomia turke është në krizë të thellë. Erdogan dhe miqtë e tij akuzohen se kanë vjedhur mbi 400 miliardë dollarë. Një pjesë e saj ndodhet në Rusi, ndërsa pjesa më e madhe në Dubai ose Doha, Ishujt Kajman apo Panama.

Për të rikuperuar paratë e vjedhura, do të duhet një përpjekje ndërkombëtare. Mjerisht rekordi i komunitetit ndërkombëtar në përpjekje të tilla është i dobët. Por të mos ishte kështu, tregu i pasurive të paluajtshme në Londër do të kishte falimentuar shumë kohë më parë.

Ndërkaq, do të duhet akoma më shumë kohë për të rehabilituar shoqërinë turke. Trashëgimia e udhëheqësve të grushteve të shtetit në vitet 1960 dhe 1980 ishte e keqe. Por ajo e Erdoganit ka qenë edhe më e keqe. Duhet të lirohet nga burgu dhe viktimat e “gjuetisë së shtrigave” që ka kryer presidenti turk.

Ai e asgjësoi shoqërinë civile. Në Turqi nuk ka më asnjë media të pavarur për të cilin mund të flitet. Po ashtu, Erdogan i ka vënë minoritetet etnike kundër njëri-tjetrit, dhe ka nxitur urrejtje ndaj grekëve, asirianëve, armenëve, alevitëve dhe kurdëve.

Forcat turke duhet të tërhiqen nga Siria, Iraku dhe Qipro. Ato duhet të ndalojnë së kërcënuari Armeninë dhe Greqinë. Institucionet e Erdoganit kanë korruptuar disa zyrtarë, si në Shtetet e Bashkuara po ashtu edhe në Evropë.

Dokumentet duhet të jenë të hapura për inspektim, për të parë se kush dhe si kërkoi të anashkalonte ligjin e SHBA-së, dhe se si disa kongresmenë janë tallur me Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj. Kongresi duhet të kuptojë se si ai dhe disa nga fondacionet, grupet e mendimit dhe universitetet në Uashington u përpoqën që të talleshin me këtë ligj.

Çështja është kjo: si në Uashington po ashtu edhe në Bruksel do të ketë mendime të dëshirueshme se më e keqja në marrëdhëniet me Turqinë ka mbaruar tashmë. Kjo mund të jetë e vërtetë, por do të ishte e parakohshme të besohet se është i pashmangshëm rikthimi në statuskuonë e vjetër.

Sigurisht, si Shtetet e Bashkuara po ashtu edhe Evropa duhet të punojnë me një Turqi pas ikjes së Erdogan për të ecur në drejtimin e duhur. Është në interesin e të gjithëve që të ketë një Turqi në paqe me veten dhe fqinjët e saj. Turqia duhet të jetë një forcë që gjeneron stabilitet dhe demokraci dhe jo kleptokraci. Por kjo gjë do të kërkojë kohë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu