Dalin përgjimet e politikanëve serbë pas vrasjes së Ivanoviqit, ata përmendin emra (VIDEO)

Pak orë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, bashkëpunëtorët e tij dhe politikanë serbë në Kosovë dhe Beograd përjashtonin opsionin që prapa vrasjes qëndrojnë shqiptarët. Ata dyshojnë se vrasjen e ka kryer mafia serbe në krye me Milan Radojiçiq, derisa organizimin e ka bërë shteti serb.

Kjo dëshmohet në një bisedë telefonike mes një kryetari të një partie në Beograd dhe një asamblisti serb në veri të Mitrovicës.

Insajderi sjell bisedën e tyre telefonike të përgjuar.

Kryetari i një partie serbe në Beograd ishte i shqetësuar për jetën e politikanit lokal të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq.

Nikola Sanduloviq, kryetar i Partisë Republikane e kishte këshilluar Ivanoviqin që të kërkonte mbrojtje në Prishtinë. Por, këtë këshillë Ivanoviq e kishte shpërfillur. Tre muaj më vonë, ai u ekzekutua me gjashtë plumba para selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës.

Por kush mund ta ketë vrarë Ivanoviqin?

Një politikan lokal serb, asamblist në Komunën e Mitrovicës së Veriut, pretendon se e di kush e vrau Ivanoviqin. Në bisedën telefonike të këtij asamblisti me kryetarin e Partisë Republikane, thotë se vrasjen e ka kryer mafia në krye me Milan Radojiçiq, mik i afërm i kriminelit Zvonko Veselinoviq. Organizator i vrasjes, sipas tij, është shteti i Serbisë.

Insajderi ka vendosur që për shkaqe sigurie të mos ia zbulojë identitetin e këtij asamblisti i cili edhe gjatë bisedës telefonike prej 13 minutash shfaqet i frikësuar.

Biseda është zhvilluar ditën e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Asamblisti lokal serb përjashton mundësinë që Ivanoviqin ta kenë vrarë shqiptarët. Një opsion të tillë, sipas tij, nuk e mendon askush nga serbët.

Shef të nëntokës dhe të krimit ai e cilëson Milan Radojiçiqin, për të cilin Ramush Haradinaj deklaroi se e ka bashkëpunëtor. Me të Haradinaj ishte takuar gjatë negociatave për koalicionin qeverisës.

Gjatë bisedës telefonike që ka siguruar Insajderi, asamblisti serb i tregon bashkëbiseduesit në Beograd se kanë shkuar ta marrin kufomën pas kryerjes së obduksionit.

“Asgjë zyrtarisht nuk na kumtojnë, vetëm se është qëlluar nga pas, këtu para zyrës, një plumb ishte vdekjeprurës i cili e ka goditur arterien, dhe… kjo është gjendja”, thotë ai rreth ekspertizës mjekoligjore.

“E sheh, kemi biseduar, dhe gjithë këto t’i kam treguar. Të kujtohet biseda të cilën e kemi pasur para nja tre muajve”, ndërhyn Nikola Sanduloviq.

“Më kujtohet. Më vjen shumë mirë që thirre. Nuk e di… situata në qytet është e pabesueshme. Populli është shumë i habitur. Nuk e di… as policët nuk mund të besojnë e jo më diçka tjetër. Varrimi është në Beograd me siguri të enjten”, sqaron asamblisti serb.

Lideri i Partisë Republikane e pyet bashkëbiseduesin se cilat janë informatat rreth vrasjes së Ivanoviqit. Në këtë bisedë përmendet edhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petroviq. Për të thuhet se në veri shkon vetëm kur vritet dikush.

“E dini, ai ka qenë tip i cili kurrë nuk ka thënë asgjë, vetëm që askush nuk mund të ikë prej asaj që këtë e ka bërë shteti, siç i ka ndodhur të ndjerit Miki, para katër viteve, prandaj është koincidencë e pabesueshme, njerëzit jetonin bashkë…, dhe kur njëri i lidh të gjitha këto…, ja dhe gruaja e tij…, mendoj…, diqysh po përputhen kubëzat…, kurrqysh ndryshe vetëm se… nuk di”.

“Ajo që është e sigurt, edhe sipas informatave që i kam marrë është e sigurt se këtë nuk e kanë bërë shqiptarët”, ndërhyn Nikola Sanduloviq. “Sepse këtu në Serbi të gjithë dyshojnë në këtë Qeveri këtu, e shoh që është atmosferë e tillë”.

“Besomni asnjëri prej nesh nuk dyshon në këtë, besoni apo jo, ky opsion është i përjashtuar. E dini, mendimi im dhe i këtyre të tanëve është se këtë e kanë bërë mafiozët lokalë, por edhe ata kanë qenë të detyruar të marrin leje prej dikujt, madje edhe ata çfarë vagabonda janë nuk guxojnë të bëjnë diçka të tillë pa leje”, sqaron asamblisti lokal.

Sipas kryetarit të Partisë Republikane serbe, ky krim nuk ka mundur të kryhej pa Zvonko Veselinoviqin.

“E di që ata këtë vetë nuk kishin guxuar ta bëjnë, dhe kështu…, dhe tani po shikoj gjithë këtë dhe nuk di njeriu çfarë të mendojë. Ja tani erdh për ngushëllim Sllobodan Petroviqi, të cilin për herë të dytë po e shoh në veri, dhe të dy herë e shoh në ngushëllim. Para katër vitesh kur isha për ngushëllim për të ndjerin Miki aty e kam parë dhe tani po e shoh për herë të dytë…”, shton asamblisti serb.

“… unë me Oliverin nuk jam njohur mirë, dhe për fat të keq nuk më ka dëgjuar. Për fat të keq! Të kujtohet çfarë të kam thënë dhe çfarë bisede kemi pasur? Me vjen keq që nuk munda të depërtoj deri te ai, të ulemi dhe t’i jap çelësin e zgjidhjes në dorë. Ky është tmerr çfarë ka ndodhur. Duhet të jeni të mençur dhe të mos bini nën ndikim të tregimeve të llojllojshme etj., që dikush të mos e prish gjakun, sepse shqiptarët nuk e kanë bërë këtë”, e këshillon politikani nga Beogradi, bashkëbiseduesin nga Mitrovica.

Bashkëpunëtori i Ivanoviqit flet edhe për konfliktet që kishte i ndjeri me politikanët tjerë serbë. Përmend një zjarrfikës që ishte bërë asamblist. Listën Serbe ai e cilëson makineri të rrezikshme që nuk mund të ndalet.

“Unë i kam parë zgjedhjet parlamentare, por mendova se atëherë ata favorizoheshin për shkak të Ushtrisë së Kosovës, por në zgjedhjet lokale e pash se askush më nuk mund t’i ndalë. Kjo nuk mund të ndalet. Kjo është makineri e rrezikshme. Unë më nuk i besoj procesit të zgjedhjeve. Unë nuk e kam të qartë se si arritëm t’i marrim ato 1.500 vota, si edhe ato nuk na i kanë zhvlerësuar”, thotë asamblisti. Ai shton se votat janë vjedhur në favor të Listës Serbe të përkrahur nga Beogradi.

Nikola Sanduloviq e pyet asamblistin lokal se mafia serbe në Mitrovicë me cilin subjekt janë.

“Ai është kumbar i Zvonkos, Milan Radojiciq e hap shampanjën kur këndojnë… I ka pesë mjekroshë rreth vetit të cilët defilojnë non-stop… Nga Serbia…”, shton asamblisti serb.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here