De Biasi: Ndihem shqiptar! Mrekullia e Shqipërisë nisi nga kërkimet në internet

Në një intervistë për të përditshmen madrilene AS, trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi ka shprehur një opinion mjaft pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët. I pyetur fillimisht për sfidën e ardhshme të kuqezinjve, atë me Spanjën, ai është shprehur optimist duke thënë se pritet një performancë e mirë. “Ne duhet të jemi të përulur dhe të përqendruar. Dallimi mes nesh dhe Spanjës është si të shkosh nga Toka në Hënë. Si të luftosh me gurë kundër kallashnikovit”,- është shprehur ai ndër të tjera.

Një sërë pyetjesh i janë drejtuar trajnerit italian të shqiptarëve për shqiptarët, Shqipërinë, shanset e Kombëtares sonë në Kampionatin Botëror 2018. I pyetur nëse Shqipëria ka më gjasa të bëjë histori siç ka bërë së fundmi, De Biasi u përgjigj: “Kisha nevojë për sfidë të vështirë për të treguar sa vleja si trajner. Shqipëria ma dha këtë mundësi. Askush s’e mendonte se do të futej në “Euro 2016”, por ajo ia doli. Mbaj mend kur mbërrita për herë të parë në Shqipëri. Ishte natë dhjetori. Nuk kisha qenë kurrë më parë atje”, – ka treguar trajneri teksa fliste për sfidat që iu desh të përballej në fillim.

E përditshmja madrilene e ka pyetur trajnerin e shqiptarëve se si i përzgjodhi lojtarët e Kombëtares që korri sukses dhe ai ka rrëfyer se mrekullia e Shqipërisë nisi nga kërkimet në internet: “Kishim nevojë për të ndryshuar diçka. E nisëm me kërkimet në internet. Kërkuam në “Soccerassociation” për çdo lojtar në çdo ligë, i cili kishte flamurin e Shqipërisë ose kishte emër shqiptar. Pasi i gjetëm, analizuam performancat e tyre përmes videove në Youtube dhe më pas i pyetëm nëse donin të na bashkoheshin”.

E sa për shtetësinë shqiptare e shqiptarët, trajneri i kuqezinjve u shpreh se ndihet shumë shqiptar. “Të përballesh me ta çdo ditë, të bën të ndihesh si ata. Unë jam shqiptar sepse unë jetoj në këtë realitet. Unë mendoj se çdo vend ka të mirat e të këqijat e veta. Edhe për Italinë flitet. Më shumë thuhet se është e mafias sesa si vendi i picave dhe spagetit. Shqipëria është një vend me shqiptarë krenarë dhe besnikë. Gjithmonë më thonë se unë jam ambasadori i tyre shqiptar në Itali”.

Në mundet një vend i trazuar si Shqipëria të shkëlqejë në futboll, De Biasi përgjigjet: “Po. Gjëja më e rëndësishme për mua është që u dhamë një shans fëmijëve të vegjël të mendojnë se nëse punojnë fort mund t’ia dalin. Tani ata nuk kanë idhuj vetëm Christianon apo Messi, por flasin dhe për Xhakën apo Sadikun”.

I pyetur për episodin me Serbinë, ai tregon se gjithçka fatmirësisht shkoi mirë atë ditë, por mund të kishte shkuar më keq. Sa për Kombëtaren kosovare dhe ndikimin te shqiptarët, De Biasi është shprehur se për tifozët shqiptarë, Kosova është Shqipëri dhe ata nuk duan që këto dy kombëtare të luajnë veçmas. “Por tani ata kanë dy zgjedhje, edhe pse motoja e tyre është “një komb, një ekip”./blitz


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu