Dimitrov: Rajoni ynë dhe BE-ja janë në anijen e njëjtë

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov, ka deklaruar se rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Evropian (BE) i përkasin të njëjtës anije në aspektin ekonomik, gjeografik, historik, kulturor dhe në aspektin e sigurisë.

Dimitrov u adresua në Forumin e 21-të Ekonomik, i cili po mbahet më 4 dhe 5 tetor në Beograd, ku marrin pjesë një numër i madh i folësve eminentë nga Serbia dhe jashtë saj. Forumi i këtij viti trajton tema aktuale me një theks të veçantë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Serbisë, bashkëpunimin në rajon dhe më gjerë, si dhe çështjet e pranimit në BE.

Kreu i diplomacisë maqedonase, Dimitrov shprehu kënaqësinë për vizitën e tij në Serbi dhe pjesëmarrjen në një forum të organizuar mirë, duke theksuar se takime të tilla janë të rëndësishme për rajonin.

Do të jem i sinqertë, do të jem në Slloveni për dy ditë në samitin e udhëheqësve të BE-së dhe vendeve të rajonit tonë. Koha e takimit është mjaft e rëndësishme, sepse ajo mbahet në një kohë kur rajoni nuk është në pozicionin më të mirë kur është fjala për besueshmërinë e premtimit të dhënë në Selanik 18 vjet më parë, se e ardhmja e këtij rajoni është evropiane“, Tha Dimitrov.

Duke theksuar se asnjë përparim i madh nuk është parë në integrimin evropian të rajonit vitet e fundit, Dimitrov tha se shumë është diskutuar në tubime dhe platforma të ndryshme, por shtoi se nuk ka pasur përparim të mjaftueshëm. Ai kujtoi se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, ka dërguar edhe një herë një mesazh të fortë se shpresa ende ekziston për Ballkanin Perëndimor.

Ai po ashtu theksoi pretendimet e mediave të publikuara se nuk ka më një konsensus midis anëtarëve të BE-së për të ardhmen evropiane të rajonit, duke shtuar se kjo konfirmon paaftësinë e Unionit për të mbajtur premtimin e tij.

Ende nuk është një çështje e mbyllur dhe po punohet. Anëtarët e BE-së po takohen përsëri në Bruksel dhe do ta diskutojnë ketë. Rajoni ka nevojë për një mesazh të fortë politik dhe jo vetëm një mesazh të përbërë nga fjalë, por gjithashtu është e nevojshme të shihet edhe veprim”, tha Dimitrov.

Duke theksuar se ka probleme që duhen rregulluar, Dimitrov tha se vendet e rajonit gjithashtu duhet të tregojnë më shumë “lidership” në mënyrë që të eliminojnë të gjitha çështjet që mund të përdoren kundër rrugës evropiane të rajonit.

Ai po ashtu tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja i përkasin të njëjtës anije në aspektin ekonomik, gjeografik, historik, kulturor dhe në aspektin e sigurisë. Ai shtoi se rruga ballkanike e migracionit tregoi se sa nënkupton siguria e rajonit për sigurinë e Unionit.

Në samitin në Slloveni, i cili mbahet nesër më 6 tetor, Dimitrov pret mesazhe shumë më konkrete dhe inkurajuese nga udhëheqësit e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. “Është koha e fundit për hapa përpara“, tha Dimitrov, duke shtuar se nuk do të ketë integrim të rajonit pa një narrativë evropiane.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu