Qeveria e Malit të Zi është hutuar si duket në thirrjet që lëshoi për shënimin e fitores në zgjedhjet para një viti kur shënuan emrin e ish ambasadorit Srdjan Sentic, në vend të ambasadorit aktual kosovar, Ylber Hysa. Reagimi i ambasadës kosovare ishte plot kurtuazi diplomatike me një dozë cinizmi të tolerueshëm.
Thirrjet i ka nënshkruar kryeministri i qeverisë malazeze Zdravko Krivokapic dhe ky lëshim do të mund të lihej anash si huti e një qeverisje në tranzicion e që nuk është, ka kaluar një vit.
Ambasadori i Kosovës, Ylber Hysa, dje u prit nga Presidenti i Malit të Zi, Milo Djukanovic, që e nderoi për shërbimin e tij disa vjeçar në Mal të Zi, duke shprehur edhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit malazez në synimet e Kosovës.
Ambasada ishte përgjigjur në notën e saj me kujdes ndaj ftesës së qeverisë dhe duke shprehur gatishmëri për t’i asistuar qeverinë malazeze për të gjetur kontaktin e ish diplomatit të Kosovës, Srdjan Sentic.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Mal të Zi shpreh respektin kabinetit të presidentit të qeverisë së malit të Zi dhe ka nderin që me këtë rast t’i drejtohet ndërlidhur me thirrjen që keni dërguar Ambasadës së Republikës së Kosovës me rastin e njëvjetorit të fitores në zgjedhjet parlamentare. Ju informojmë se zoti Srdjan Sentic ka përfunduar mandatin e tij në ambasadën tonë para më shumë se katër vitesh, kështu që në rast se është dëshira juaj ne mundemi të ju përcjellim të dhënat e tij që ju të keni mundësi t’i drejtoni atij individualisht thirrjen.”
Në notën verbale e drejtuar qeverisë Ambasada e Kosovës e mbylli me shprehjen e respektit më të madh për qeverinë malazeze.
“Ambasada e Republikës së Kosovës shfrytëzon edhe këtë rast që kabinetit të presidentit të Qeverisë të i shprehë respektin më të madh” shkruhet në dokument.
Qeveria malazeze e Krivokapic që po lëkundet për shkak të mospajtimeve brenda koalicionit dhe krizës me Kishën Ortodokse Serbe. Shënimi i kësaj date nga kjo qeveri pikërisht në mes të krizës dhe në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës ju bënë thirrje politikanëve malazezë që të ulin tensionet mund edhe të konsiderohet si e kundërta.









