Dita Ndërkombëtare e gjuhës amtare

Për InfoShqip.com nga albanologia Donika Bakiu

Të folurit është tipar aq i zakonshëm , sa që ne rrallë ndalemi ta përcaktojmë. Na duket gjë e natyrshme si ecja dhe vetëm diçka më pak se e natyrshme se frymëmarrja. Duke u nisur nga roli i madh i gjuhës në jetën e shoqërisë njerëzore , disa gjuhëtarë kanë arritur në përfundimin se njeriu jeton i rrethuar jo vetëm nga biosfera por edhe nga psikosfera, dmth që njeriu nuk mund të mendohet pa gjuhën dhe jashtë ndikimit të saj. Që nga kohët e lashta ka ekzistuar një ide se çdo gjuhë ka historinë e saj. A mund të zhduket ose të vdes një gjuhë? Po mundet sepse një numër i madh i gjuhëve janë zhdukur si psh gjuha latine, e mësonim një vit në Gjimnaz se na thonin se është gjuhë e vdekur.Analizat e UNESKO-s tregojnë se mund të zhduken rreth 2.500 gjuhë nga pothuajse 6.000 që fliten në botë. Në 90 vitet e kaluara janë zhdukur rreth 200 gjuhë, ndërsa 199 i flasin më pak se dhjetë njerëz. Gabimet në të shkruar të gjuhës standarde shqipe dhe në komunikim bëhen që nga qytetarët e rëndomtë e deri te krerët e institucioneve në vendin tonë.

Gabime drejtshkrimore gjenden edhe në tekstet shkollore, si dhe në shumë dokumente të tjera, të cilat bëhen publike nga organizatat dhe mekanizmat tjerë në vendin tonë. Foljet ndihmëse “kam “ dhe “jam” nuk shkruhen me “ë” në fund , “trashëgimi “nuk shkruhet “trashigimi” etj. Gjithandej hasim lëshime që s’janë vetëm mungesë dijesh gramatikore, por mospërfillje dhe pavetëdije për krimin që i bëhet gjuhës .Jemi dëshmitarë të shkeljes së rregullave gjuhësore pothuajse në të gjitha llojet e komunikimit, përfshirë edhe librat që i botojmë e, që është më skandalozja e më e dhimbshmja, tekstet shkollore që i hartojmë. Gabimet e shumta gjuhësore, janë të pranishme thuajse në të gjitha lëndët, në të gjitha tekstet shkollore duke filluar nga librat e gjuhës shqipe edhe tek të gjithë librat tjerë. Ende ka që në libër e shkruajnë antare për gjininë femërore duhet shkruar anëtare jo antare, pra me zanoren –ë. ANËTARE f.Fem. e ANËTAR,~I. Anëtare partie.

Anëtare e Bashkimit të Grave të Shqipërisë. Anëtare e kryesisë.(FGJSH,2006) Teksti ‘’Rrënkimi’’ duhet me një r pra ‘’Rënkimi’’ . RËNKIM m.1. Zë i përvajshëm, që nxjerr një njeri nga dhembja ose nga një hidhërim i madh. Rënkim i thellë (i dobët). Rënkimet e të plagosure. Lëshoi një rënkim. 2. bised. Vizitë për të ngushëlluar të afërmit e një të vdekuri, ngushëllim. Shkoi për rënkim.(FGJSH,2006). Në librin “GJUHA SHQIPE DHE LEXIMI” për klasën VIII. Para se të hymë në detaje të shohim gabimet gjuhësore , libri i leximit në ballinën e tij shkruan “klassa”, përpiluesit e librit nga e kanë gjetur këtë fjalë shqipe ose e kanë huazuar nga gjuhët e huaja? Nëse ju kujtohet në librat e gjeografisë gjithmonë shkruante : ‘’GJEOGRAFIJA’’ , gabimet drejtshkrimore vërehen që në titull . Nxënësit ngelën ‘’jetima’’ për libra duke pasur mundësi t’i kenë, nxënësit tanë përbuzen prej çdo dore që vjen e shkon sepse ajo është më e fortë se ata për të mbushur xhepat në emër të tyre, sepse “gjithçka bëhet për nxënësit”.

Nxënësit tanë detyrohen të mësojnë gjuhën e tyre nga përkthimet e tmerrshme që kanë në libra . Nuk ju intereson se çfarë teksti ka brenda tek e fundit krejt dimë shqip të flasim.Përpos gabimeve në brendi të teksteve shkollore, ndër gabimet më të mëdha janë ato që bëhen në kopertinën e teksteve shkollore.Tekstet kanë nevojë për redaktim serioz gjuhësor. Përgjegjësinë më të madhe lidhur me këto lëshime gjuhësore që janë të patolerueshme kryesisht e mbajnë recensentët dhe organet që ia kanë propozuar ministrit të arsimit për t’i dhënë leje përdorimi këtyre teksteve . Në Maqedoninë e Veriut gjuha shqipe shkruhet me gabime drejtshkrimore në institucione, në markete kur shohim në terren këto gabime ose lëshime që nuk i përmirësojnë habitem ndoshta pse nuk ka dënime janë më të qetë. Gjuha shqipe nuk flitet bukur dhe nuk shkruhet si duhet nga shumë njerëz : profesorë, nga ata që kanë pozita shkronja y bëhet i si psh: TË HYRAT-TË HIRAT , YNDYRNAT-INDIRNAT etj. Institucionet përkatëse dhe përgjegjësit e tyre, pothuajse asnjëherë nuk konsultohen me gjuhëtarët për çështje që nuk mund t’i zgjedhin vetë, atëherë bëhet e qartë pse kemi aq shumë gabime drejtshkrimore . Institucionet shtetërore dhe private nuk duan të punësojnë ekspertë të gjuhës ose së paku të konsultohen me ta para se të publikojnë materiale.

Besoj se kur çdo dokument do të nënshkruhet me emër dhe mbiemër nga ekpserti gjuhësor -albanologët, jo vetëm që nuk do të ketë më gabime drejtshkrimore , por do të lirohen edhe institucionet apo individët që nuk e njohin gjuhën të jenë në shënjestër. Për këtë duhet të fillohet me trajnime për marrjen e licencës për lektorim dhe vetëm ata të kenë të drejtë të lekturojnë, deri sa nuk bëhet kjo, mund çdokush të merret me lektorim edhe kimisti, biologu,juristi, ekonomisti , mjeku e kushdo tjetër. Dua të theksoj një element bazë për shmangjen e gabimeve drejtshkrimore , e ajo është ngritja e ndërgjegjës dhe kulturës gjuhësore të secilit prej nesh, duhet të gjithë të mundohemi të shkruajmë pa gabime. Çdo individ e ka për detyrë të bëj çmos për mbrojtjen dhe zbatimin e drejtë të normave dhe rregullave gjuhësore.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu