Pas fitores së presidentit të ri të Amerikës, Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Donald Lu ka dalë para mediave. Lu e ka nisur fjalimin e tij me një lutje për të gjithë ato njerëz që humbën jetën për shkak të përmbytjeve.
Ndërsa duke u ndalur tek zgjedhjet presidenciale, ambasadori tha se këto zgjedhje ishin një votë për ndryshim në SHBA, por kjo nuk do të thotë një ndryshim mes marrëdhënieve të SHBA-së me Shqipërinë, pasi ato do të vijojnë të jenë të ngushta edhe me administratën e re, shkruan tvklan.
“Më lejoni ta nis këtë mëngjes duke ofruar lutjet për viktimat nga përmbytjet në Shqipëri dhe më lini ta vazhdoj me një rrëfim. Unë kam disa versione të fjalimit tim këtu dhe kjo është një gjë e mrekullueshme për demokracinë, e paparashikueshme, entiuziazmuese. Në këtë sallë kemi ftuar me qëllim shumë të rinj që të jenë pjesë e mëngjesit presidencial. Demokracia na lidh së bashku, është e rrëmujshme, e ndërlikuar dhe e mbushur me konflikte dhe polemika si në SHBA, por në fund demokracia na garanton liritë që i vlerësojmë kaq shumë. SHBA zgjodhën presidentin e 45, Donald Trump. Këto zgjedhje ishin një votë për ndryshim në SHBA, por kjo nuk do të thotë ndryshim në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA. Ato kanë pasur marrëdhënie të ngushta, jemi aleatë të NATO, partnerë në Afganistan dhe kemi qëndruar sëbashku kundër agresionit rus në Ukrainë dhe në pavarësinë e Kosovës. Jam besimplotë se marrëdhëniet tona do të mbeten të ngushta edhe me administratën e Trump. Këtë mëngjes ju dëgjuat nga Presidenti Trump se cili është përkufizimi i drejtë i demokracisë kalim paqësor i pushtetit dhe ecja para si komb. Nëse Amerika i jep fund kësaj fushate Shqipëria po hyn në të sajën. Teksa ne fillojmë të shërojmë ndarjet partiake djathtas e majtas, shqiptarët do të nisin debat që do kulmojë në qershor. si dy demokraci të mëdha ju ofroj shpresën e gjithë amerikanëve që populli shqiptar do të bëjë zgjedhje të mençura, që do të debatojë mbi çështjet e pasojave dhe se ai do të vazhdojë të rrokë vlerat demokratike që e lidhin vendin me Evropën dhe me SHBA,” deklaroi Lu.