Dredhitë diplomatike të Vuçiç dhe pazaret për Kosovën, armë Izraelit për të lobuar në SHBA

Publikisht mbështet Palestinën, por në fshehtësi furnizon Izraelin me armë. Është kjo një nga dredhitë diplomatike që po bën aktualisht Serbia, në kurriz të Kosovës, për të ngrohur edhe më shumë marrëdhëniet diplomatike me shtetin hebre, shkruan në një artikull media Al Jazeera.

Ditë më parë, Balkan Insight raportoi se kompania kryesore e armëve, në pronësi të shtetit serb, Yugoimport-SDPR, eksportoi armë me vlerë 14 milionë euro për në Izrael, muajin e kaluar. Ndërsa BIRN zbuloi se Beogradi ka çuar dhe dy dërgesa të tjera në Tel Aviv që prej shpërthimit të luftës në Gaza, tetorin e kaluar.

Në analizën e gjatë, Al Jazeera shkruan se “kjo tregon se Serbia ka një mungesë të plotë të principeve, vlerave dhe ideologjisë kur vjen puna në shitjen e armëve”.

“Si një bonus shtesë, shitjet e armëve të Serbisë, jo vetëm Izraelit por edhe Ukrainës, dërgojnë gjithashtu një mesazh të heshtur por të fuqishëm për njerëzit e rëndësishëm në Uashington, qofshin lobistë, diplomatë apo ligjvënës, që është: ‘Ne jemi një partner thelbësor për Perëndimin në Ballkan; ndërsa fqinjët tanë mund të ofrojnë mbështetje retorike për Ukrainën dhe Izraelin, ne ofrojmë diçka konkrete”, u shpreh ekspertja për Ballkanin, Lily Lynch.

Al Jazeera thekson se në vitin 2020 raportet mes Serbisë dhe Izraelit patën një periudhë të vështirë për shkak të njohjes së Kosovës, por që vitin e kaluar, shteti hebre konfirmoi se Beogradi mbetet aleati më i afërt në Ballkan. Kjo media zbërthen paketën e propagandës së Vuçiçit në nivel ndërkombëtar, me lojën e dyfishtë dhe sekrete, teksa synon që të fitojë Izraelin si një lobues në Uashington.

“Serbia ka përdorur Izraelin për të arritur tek grupet lobuese izraelite, në mënyrë që të shkojë afër administratës Trump. Nuk ka asnjë dyshim se Serbia po përpiqet që të marrë mbrojtjen e Izraelit në Uashington dhe ta përdorë atë si një rrugë të shkurtër për një partneritet më të fortë me Shtetet e Bashkuara nën presidencën e re Trump”, shpjegon Vuk Vuksanoviç nga Qendra për Politika të Sigurisë.

Al Jazeera thekson në fund se raportet mes Serbisë dhe Izraelit do të fuqizohen edhe më shumë nëse Trump fiton presidencialet amerikane në nëntor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu