Edhe 19 vite pas luftës Kosova nuk e ka paditur për gjenocid shtetin Serb

Edhe 19 vjet pas luftës, Kosova ende nuk ka bërë padi për gjenocid ndaj shtetit serb, ani pse disa herë Hashim Thaçi, në pozitën si kryeministër, e më vonë si shef i diplomacisë kosovare, kishte deklaruar se do ta bënte një gjë të tillë.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, që vjen nga PDK-ja, Flora Brovina, shprehet e revoltuar me institucionet që për 19 vjet kanë folur shumë e nuk kanë punuar fare në këtë drejtim, raporton KTV.

Ajo ka thënë se është koha që të riaktualizohet rezoluta kundër gjenocidit serb, që kishte dështuar dy herë radhazi të kalonte gjatë 2015-s në Kuvend.

Brovina beson se ka rrugë përmes të cilave Kosova mund ta bëjë këtë padi ndaj Serbisë, duke llogaritur në miqtë e Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, thotë se falë kësaj politike të papërgjegjshme, Serbia ka arritur që nga fajtori të kthehet në palë akuzuese.

Kryeministri Ramush Haradinaj, në seancën e javës së shkuar, ka deklaruar se Kosova si shtet nuk mund të bëjë padi ndaj Serbisë, porse do t’u ndihmojnë të gjithë atyre organizatave apo individëve, të cilët do të marrin iniciativë për padi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu