Edhe ky shtet po has në kundërshtimin e SHBA-ve për blerjen e sistemit rus S-400

Autoritetet e SHBA-ve haptazi e kundërshtojnë planin e qeverisë së Indisë për blerjen e sistemit të mbrojtjes ruse S-400 ashtu siç kundërshtojnë planin e ngjashëm të Qeverisë së Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia e lajmeve Press Trust of India (PTI) raporton se një zyrtar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit në një deklaratë për shtypin indian tha se vendimi i qeverisë indiane për blerjen e sistemit rus S-400 nuk do të trajtohet si qëllim mirë dhe me siguri do të rrezikojë bashkëpunimin ushtarak SHBA-Indi.

Zyrtari amerikan më tej ka thënë se me blerjen e sistemit S-400 India do të shkel sanksionet e SHBA-ve ndaj Rusisë.

“Hidhni një sy në diskutimet serioze që aleatët e NATO-s zhvillojnë me Turqinë. Të njëjtin shqetësim do të kemi edhe nëse India niset për të blerë sistemin në fjalë, S-400”, tha zyrtari anonim.

SHBA kundërshton blerjen turke dhe indiane të sistemeve moderne ruse të mbrojtjes S-400 me pretendimet se kështu në mënyrë të tërthortë rrezikojnë performancat e avionëve amerikan F-35.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, vitin e kaluar nënshkroi marrëveshjen me presidentin rus, Vladimir Putin, për blerjen e sistemit S-400. Zbatimi i marrëveshjes është paralajmëruar për në prill të vitit 2023.

Analistët presin që SHBA të vazhdojë me ushtrimin e presionit mbi Indinë dhe Turqinë për t’i parandaluar në blerjen e sistemit rus S-400.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, pritet të takohet me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrin indian, Modi, në Samitin G20 në Japoni në fund të këtij muaji. Sistemi S-400 pritet të jetë tema kryesore e këtyre takimeve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu