Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, e ka përshëndetur rebalancin e buxhetit të Qytetit të Shkupit, duke e cilësuar atë si një hap konkret drejt realizimit të projekteve të premtuara për qytetarët e Sarajit.
Në rebalancin e miratuar janë përfshirë disa projekte të rëndësishme për këtë komunë, ndër të cilat ndërtimi i urës së re dhe rrethrrotullimit në Saraj, ndërtimi i rrugëve të reja dhe projekte të tjera infrastrukturore me rëndësi për qytetarët.
Elmazi ka shprehur mirënjohje për kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, si dhe për këshilltarët që mbështetën rebalancin dhe projektet që, sipas tij, janë në interes të drejtpërdrejtë të Sarajit.
“Ajo që premtojmë, atë e realizojmë!”, theksoi Elmazi, duke shtuar se përfshirja e këtyre projekteve në buxhet është vetëm fillimi i një procesi që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë së jetës në komunë.
“Fjalët i kthejmë në vepra, premtimet në projekte, ndërsa projektet në realitet. Ky është vetëm një hap drejt realizimit të asaj që kemi premtuar”, u shpreh Elmazi.
Ai theksoi se bashkëpunimi me Qytetin e Shkupit do të vazhdojë edhe më tej, me synim realizimin e projekteve konkrete për qytetarët.
“Bashkë po e zhvillojmë Sarajin. Ajo që e premtuam, do ta realizojmë!”, nënvizon Elmazi.










