Eurokomisari Han në Shkup, për ta ‘mbrojtur Specialen’ nga qeveria!

Vizita e Komisarit për zgjërim të Bashkimit Evropian, Johanes Han, më 14 tetor në Maqedoni, mund të shihet si shenjë alarmi për ngecjen e proceseve që çojnë vendin drejt zgjedhjeve të 11 dhjetorit, mes të cilave është puna e papenguar e Prokurorisë Speciale Publike (PSP). Përderisa partitë në pushtet bëjnë çmos që të pengojnë PSP-në, Han vjen për t’i siguruar punë të pandalshme prokurorisë në fjalë sepse si që lajmëron opozitarja LSDM vetëm në atë rast do të mund të mbahen zgjedhjet. Kështu përPortalb.mk e vlerësojnë njohësit e çështjeve të politikës së jashtme, vizitën e euro-komisarit.

“Kërkohej zgjidhje për krizën tonë. Erdhi në përfundim se dalja do të kërkohej në zgjedhje të parakohshme dhe në punën e pandalshme të Prokurorisë Speciale Publike për zbardhjen e së vërtetës dhe hapjen e dyerve drejtësisë ta marrë progresin e saj. Tani shohim se sërish data është e caktuar për zgjedhje, megjithatë ka problem me anën e dytë të medaljes, pra me PSP-në dhe obstruksionet që po i bëhen” sqaroi ish diplomati Denko Malevski për Portalb.mk.

Sipas Malevskit dhe ish deputetit Ismet Ramadanit refuzimi i ligjeve që PSP i propozoi në Parlament (atë për zgjatjen e afatit për hetime dhe ndryshimin e Ligjit për mbrojtje të dëshmitarëve) paraqet një obstruksion serioz për punën e mëtutjeshme të PSP-së dhe njëherit zbatimit të Marrëveshjeve të Përzhinos. Kjo nxiti reagimin e faktorit ndërkombëtar, si reagimet e ambasadave ashtu edhe vizitën e Hanit.

“Kjo si duket dha alarm edhe në ambasadat që janë këtu, po edhe në BE dhe në SHBA, kështu që Han si nismëtar i kësaj marrëveshjeje, sigurisht dhe i brengosur se edhe mund të thellohet sërish kriza dhe eventualisht VMRO-DPMNE-ja dhe partitë e pushtetit t’i ikin edhe datës së zgjedhjev. Sepse me paraqitjet e fundit dhe paralajmërimet e PSP-së si duket ka hyrë një frikë serioze në përfaqësuesit e pushtetit se mund të ndodh që të hapen procese serioze për ata që janë të kriminalizuar dhe të korruptuar. Ata sikur nuk duan të zhvishen nga pushteti sepse shans të vetëm e shohin që nëpërmes ndikimit në gjyqësi dhe institucionet tjera mund të mbeten edhe më tutje në liri, andaj do të bëjnë çmos që të pengojnë mbajtjen e zgjedhjeve” theksoi Ramadani.

“Prandaj mendoj se vjen të jep edhe një herë sugjerimet e veta që ta mban procesin edhe më tutje të jetë aktual dhe të ndikojë që mos të ndodhin trazira ose incidente po edhe obstruksione dhe definitivisht të mbahen zgjedhjet më 11 dhjetor dhe të nis dalja nga kjo krizë politike dhe krizë e sigurisë që gjendet diku pak më gjatë në Maqedoni” shtoi ai.

“Zgjedhjet edhe puna e pandalshme e PSP-së janë komplementare, shkojnë së bashku dhe nuk mund të insistohet vetëm në njërën e të shmanget tjetra” thotë Malevski.

“Vetëm nëse nuk pengohet PSP që ta zbardh të vërtetën mbase mund të realizohen zgjedhjet, por mbase është vonë edhe për atë. Për shkak të të gjitha vonesave të mëparshme të lidhura me punën , obstruksionet ndaj PSP-së. Sigurisht, nëse arsyeja e krizës është keqpërdorimi i pushtetit duhet të vërtetohet a është ashtu apo nuk është ashtu. Nëse është ashtu, të vihet në vend drejtësia. E dij se kjo është diçka shumë e madhe në Maqedoni, por gjithmonë ka një herë të parë, duhet të fillojë.” shtoi Maleski.

Sipas tyre qëllimi i intervenimit të faktorit ndërkombëtar qysh në fillim ishte ta ndihmonte Maqedoninë të dilte nga krize. Kështu ai ka investuar aq shumë në Maqedoni, saqë nuk mund të heqë dorë lehtë.

“Jam shumë i bindur se BE-ja dhe SHBA-ja nuk do të heqin dorë aq lehtë që Maqedoninë mos ta kthejnë në rrugëtimin euro-atlantike, sepse me vite kanë investuar si në aspektin financiar po edhe në aspektin institucional në Maqedoni. Nuk do të lejojnë që struktura të VMRO-DPMNE-së Maqedoninë ta kthejnë në ndonjë opsion tjetër, të themi pro-rus apo diçka që do të jetë shumë i rrezikshëm për Maqedoninë si shtet multi-etnik.”-tha Ramadani.

Sipas tij, fakti se përcaktimi i qytetarëve, veçanërisht i shqiptarëve është për integrimet euro-atlantike, çdo tentim për ta kthyer në rrugë a alternativë tjetër do të krijonte konflikt ndër-etnik në vend po edhe në rajon.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu