Familja shqiptare nëntë anëtarëshe nga Kumanova pa nënshtetësi, u privua nga e drejta e regjistrimit

Saga e familjeve shqiptare pa nënshtetësi në Maqedoninë e Veriut vazhdon. E tillë është edhe familja nëntë anëtarëshe e Nijazi Lutfiut nga Kumanova i cili në një rrëfim ekskluziv për portalin Almakos, rrëfen pengesat dhe padrejtësitë e vazhdueshme që iu janë bërë ndër vite kësaj familje, në mesin e të cilave edhe mohimin e të drejtës së regjistrimit.

Nijazi Lutfiu i lindur me 13.07.1960 në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut, për portalin Almakos rrëfen sagën e tij:

“Unë jam i lindur në Kumanovë. Prindërit e mi, vëllezërit dhe motrat kanë nënshtetësi të Maqedonisë së Veriut, ndërsa vetëm unë jo. Nuk mund ta kuptoj logjikën e këtij shteti. Ndoshta numri i madh i fëmijëve, i ka frikësuar autoritetet maqedonase që të na pamundësojnë regjistrimin tonë”.

Nijaziu së bashku me gruan dhe fëmijët e tij, familje nëntë anëtarëshe është shpërngulur në Gjenevë të Zvicrës. Fëmijët e tij të moshave të ndryshme, punojnë punë të ndryshme si dhe së bashku me Nijaziun japin kontribute të vazhdueshme në Maqedoninë e Veriut, përmes remitencave. “Për çdo vit, ndoshta edhe dy herë në vit ne pushimet i kalojmë në Maqedoninë e Veriut. Kemi marr pjesë në të gjitha aksionet humanitare, por edhe kemi ndihmuar familjar të ndryshëm atje. Në këtë mënyrë kemi kontribuar në mbushjen e buxhetit të Maqedonisë së Veriut”, vazhdon rrëfimin Lutfiu për Almakos.

Nijazi Lutfiu tregon se ka tentuar disa herë radhazi për të fituar nënshtetësinë e Maqedonisë së Veriut, por kjo e drejtë iu është mohuar pa arsye dhe padrejtësisht nga ana e organeve të shtetit. Fatkeqësisht as subjektet politike shqiptare qysh prej pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, e deri më sot nuk janë interesuar për këtë temë e as që e kanë marr në konsideratë kërkesën e tij për të qenë i dukshëm në këtë shtet. Për të qenë më i dhimbshëm rrëfimi i tij, sivjet Nijazi Lutfiu bashkë me fëmijët e tij u drejtua në Xhaminë e Gjenevës për të marr pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë. Por autoritetet e xhamisë i kanë thënë se numrat amzë të tij dhe familjarëve të tij nuk po i njeh sistemi i regjistrimit.

Nijazi Lutfiu pas këtij akti dëshpërues që i ndodhi në Xhaminë e Gjenevës, mori pjesë në një takim me ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Zvicër, takim me mërgimtarët. Nijaziu iu drejtua me pyetje direkte ambasadorit duke i thënë se a mund të regjistrohemi ne që jemi pa nënshtetësi të Maqedonisë së Veriut? Përgjigja e ambasadorit ishte se nuk mundemi, duke mos ofruar asnjë alternativë për këtë kategori të qytetarëve.

Përndryshe, opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut e përbërë nga partia Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët përmes amendamenteve të ndryshme janë duke tentuar për të bllokuar çdo ligj në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me kushtin e vetëm që të kaloje ligji për shtetësi i propozuar nga ana e tyre. Sot në rrjetet sociale, deputetja nga radhët e partisë Alternativa, Safije Sadiki Shaini ka postuar një fotografi me nënën e saj 72 vjeçare e cila për disa herë radhazi futet në provimin e gjuhës maqedonase, pasi që është pa nënshtetësi.

Mediet maqedonase, por edhe partitë në pushtet po akuzojnë opozitën shqiptare për bllokimin e punës në Parlament duke nënvleftësuar ligjin për nënshtetësinë. Opozita shqiptare ka hapur edhe një platformë shtetësia.mk ku personat që janë pa shtetësi kanë mundësi të regjistrohen me qëllim që të dihet numri i saktë i tyre, që më pastaj të ndërmerren edhe aktivitete ligjore drejt zgjidhjes së problemit të tyre. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, pjesë kryesore e programit të partisë Alternativa dhe Aleanca për shqiptarët ishte zgjidhja përfundimtare e problemit me nënshtetësinë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu