Fenomenale! Luiza Gega e ‘artë’ në Serbi

Rekordmenia shqiptare merr tre medalje në kampionatin ballkanik në Kraljevo. Rekordet duket se janë të lidhura gjithnjë me emrin e saj. Luiza Gega mahnit sërish në pistat e vrapimit, duke shkruar gjithmonë historinë.

Atletja shqiptare ishte e jashtëzakonshme në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Serbi, teksa shënoi emrin me gërma të arta. Tre medalje të arta ia doli të fitojë rekordmenia shqiptare, me Luiza Gegën që u shpall kampione Ballkani në garën e 3000 metrave me dhe pa pengesa, si dhe në garën e 5000 metrave.

Dominim i Luiza Gegës që tregoi se është e pakonkurrueshme në një aktivitet ku marrin pjesë edhe vende që nuk janë pjesë e rajonit. Në këtë aktivitet atletja shqiptare arriti edhe kualifikimin në Lojërat Olimpike Paris 2024, pikërisht në garën e saj të preferuar 3000 metra me pengesa.

Këtë vit Luiza fitoi edhe të artën në Lojërat Europiane që u zhvilluan në Poloni, ndërsa muajin e ardhshëm do të zbresë në pistë për aktivitetin më të rëndësishëm të vitit, Botërori, që do të zhvillohet në Hungari.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu