Fillimi i vitit të ri shkollor, Taravari: Kemi krijuar kushte dinjitoze për çdo nxënës

568 fëmijë për herë të parë sot janë ulur në bankat shkollore në Komunën e Gostivarit. Me fillimin e vitit të ri shkollor, nxënësit e klasave të para janë shoqëruar nga prindërit e tyre, dikush me plotë gëzim e hare e dikush me lot derisa të mësohet me abientin dhe shokët e shoqet e rinj. Me këtë rast pushteti lokal ka vizituar disa nga shkollat fillore të qytetit për të uruar vitin e ri shkollor.

Ndalesa e parë ishte në shkollën fillore “Ismail Qemali” nga ku kryetari Arbven Taravari tha se pushteti lokal është munduar që t’i rregullojë ambientet nëpër shkolla dhe të njejtat besoj, tha ai, se i plotësojnë standardet e nevojshme. Me këtë rast ai njofton edhe se për çdo nxënës që sivjet është regjistruar në klasë të parë, komuna e Gostivarit ndanë nga 1.500 denarë.

Si komunë e Gostivarit u munduam që sivjet të motivojmë çdo familje dhe çdo fëmiju që nis në klasë të parë këtë vit shkollor, e ndihmojmë me një shumë modeste nga ana jonë prej 1.500 denarë. Andaj, publikish u kisha bërë thirje të gjithë prindërve që të aplikojnë me dokumentet e nevojshme në komunën e Gostivarit që ne pastaj ti lëshojmë këto para sa më shpejtë”, deklaroi kryetari Taravari.

Taravari tha se vështirësi e vetme mbetet kriza energjetike e cila sipas tij do të vështirësojë punën e shkollave dhe mungesa e teksteve shkollore të cilat duhet t’I sigurojë MASH.

“Kemi vështirësi si çdo vit shkollor kur fillohet. Jemi në kriza të ndryshme, sidomos në krizë energjetike e cila do ta vështirëson punën e shkollave, por gjithashtu kemi vështirësi të cilat vijnë nga Ministria e Arsimit. Bëhet fjalë për mos-pasjen e librave për shumicën e nxënësve të cilët e nisin këtë vit shkollor dhe flas edhe për shkollat e mesme ku te ne gjithsejt ka 678 nxënës që regjistrohen në vit të parë”, tha Taravari.

Shpresa Useini, drejtoreshë e shkollës fillore “ismail Qemali” konfirmon se mungojnë libra për klasat e para, të dytat, katërta dhe të pestat. Shpreson që ato të sigurohen sa më parë nga MASH.

“Besoj se do të ketë një vit të suksesshëm pasi kanë bërë përzgjedhjen të mirë. Kuadri arsimor i SH.F ‘Ismail Qemali’ është i përgatitur për fillimin e vitit shkollor. Ajo që na mungon janë librat që së shpejti presim të vijnë pasi që ka ndryshime në ligjin e arsimit fillor për klasën e parë, dytë, katërt dhe të pestë. U tha edhe nga vet ministri se librat do të jenë pak me vonesë, por shpresojmë që mbrena javës së parë, të dytë, të kompletohemi”, deklaroi drejtoresha Useini.

Taravari me ekipin e tij kanë qendruar për vizitë edhe në shkollën fillore “Goce Dellçev”, ku poashtu kanë vizituar nxënësit të cilët sivjet për herë të parë janë regjistruar në klasë të parë. Nga aty, ai bëri një bilanc rreth investimeve nëpër shkolla, duke potencuar se janë përfshi me investime të gjitha shkollat fillore dhe të mesme.

Edhe pse kemi bërë shumë investime në të gjitha shkollat, përsëri ka hapësirë për të bërë edhe më shumë dhe shpresoj se këtë vit investimet që i kishim të planifikuara, mendoj se kemi përfunduar. Mbetet fasada në shkollën e mesme të mjekësisë dhe gjimnazi ku ndërrohen dritaret që të mbyllen punimet. Në shlollën fillore ‘Goce Dellçev’ përfunduam me fasadën e shkollës, në shkollën fillore ‘Ismail Qemali’ kishim inevstime së bashku me një shoqatë jo qeveritare amerikane ku kemi investuar në një kabinet të informatikës, jemi bashkëfinancues ne dhe shoqata jo qeveritare, në shkollën fillore ‘Bashkimi’ rregullohet klasë e veçantë për fëmijët me nevoja të veçanta ku do të trajtohen dhe do të punohet nga ana e defektologut dhe psikologut me këta fëmijë. Vitin e ardhsëm sërish kemi plane për investime. Besoj se në komunën e Gostivarit veçmë kushtet janë dinjitoze për të gjithë fëmijët në shkollat fillore dhe të mesme”, deklaroi kryetari Taravari.

Ndryshe, sivjet më shumë nxënës në klasë të parë janë regjistruar në shkollën fillore “Ismail Qemali”, 126, pastaj në “Goce Dellçev” 112, “Mustafa Kemal Ataturk” 102 dhe në “Bashkimi” 95, ndërsa numri në shkollat e fshtrave është dukshëm i ulët krahasuar me vitet tjera. Në shkollat e mesme numrin më të madh të nxënësve të regjistruar në vit të parë e ka shkolla teknike, 286, pastaj ajo e mjekësisë me 192, gjimnazi 150 dhe shkolla ekonomike vetëm 45 nxënës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu