Fjalimi i Trumpit, i ngjashëm me të Gruevskit

Fjalimi i Presidentit amerikan në largim, Donald Trump me të cilin kërkoi të dënohen përgjegjësit e hyrjes së dhunshme në Kongres më 6 janar, është i ngjashëm me fjalimin e ish kryeministrit, aktualisht në arrati, Nikolla Gruevski i cili kishte kërkuar të njëjtën për përgjegjësit e hyrjes së dhunshme në Kuvend më 27 prill të vitit 2017. Madje të dy, si Trump ashtu edhe Gruevski u akuzuan se i kishin nxitur këto ngjarje të dhunshme, duke mos pranuar rezultatet zgjedhore dhe duke refuzuar ta lëshonin qetësisht pushtetin.

“Si çdo amerikan, edhe unë jam i zemëruar nga dhuna dhe shkelja e ligjit. Amerika është dhe gjithmonë duhet të jetë një komb i ligjit dhe rendit. Atyre që u përfshinë në aktet e dhunshme, u them se nuk përfaqësojnë vendin tonë. Atyre që shkelën ligjin- do të paguani!”-tha Donald Trump, president në largim i SHBA-ve.

“Dua ta dënoj dhunën, që e bënë individë të caktuar, duke i sulmuar një numër deputetësh. Asnjëherë nuk kam justifikuar dhunën, pavarësisht kush dhe pse e ka shkaktuar. Ftoj institucionet të bëjnë hetim të shpejtë dhe efikas dhe t’i zbulojnë fajtorët dhe të sigurojnë prova, menjëherë pas kësaj t’i shpiejnë para gjyqit ata që i lënduan deputetët, qytetarët dhe policët.”-deklaroi Nikolla Gruevski, azilkërkues në Hungari.

Ndërkohë, Deputeti i VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski ironizoi me situatën, duke tërhequr paralelen me ngjarjet e 27 prillit. I kërkoi SHBA-së t’i dënojnë ata që hapën dyert e Kongresit dhe jo t’i shpërblejë siç e shpërbleu vendi Krsto Mukoskin, i cili i kishte hapur dyert e Kuvendit.

“SHBA-të janë shtet që nuk besoj se do të lejojnë të amnistohet nga pushteti dhe gjykata ai që i hapi dyert e Kongresit, ashtu si Krsto Mukoski në Maqedoni. Në Maqedoni pikërisht ai që ia hapi dyert dhunës së 27 prillit u amnistua, pastaj u bë aleat i pushtetit dhe u shpërblye me tendera milionësh për firmë familjare. Bonus ishte momenti kur i njëjti ishte pjesë e delegacionit qeveritar në vitin 2019 në audiencë tek Papa Francesku, me çka pushteti aktual i organizoi Mukoskit edhe një lloj faljeje morale para Vatikanit.”-tha Antonio Milloshoski, Deputet i VMRO DPMNE-së.

Komunikologët kishin vlerësuar se ngjarjet e këtilla të dhunshme nxiten nga gjuha e urrejtjes dhe lajmet e rrejshme të cilat cilësohen si rrezik i vërtetë i kohës së mediave digjitale.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu