Në luftën asimetrike në det, shpejtësia dhe numrat mposhtin mjetet konvencionale
E fshehur në guva detare dhe e gatshme për sulme në masë, e ashtuquajtura “flota e mushkonjave” e Iranit po kthehet në një kërcënim gjithnjë e më agresiv në Ngushticën e Hormuzit.
Ndërsa presidenti Donald Trump ka deklaruar se SHBA-të e kanë “asgjësuar plotësisht” marinën iraniane, realiteti në terren tregon një strategji tjetër. Irani nuk mbështetet vetëm te marina tradicionale, por te një forcë asimetrike që bazohet te shpejtësia dhe numri i madh.
“E quajnë ‘flota e mushkonjave’ sepse janë të vogla, të bezdisshme dhe godasin fort”-shpjegon Alex Plitsas, ish-zyrtar i Pentagonit. Këto mjete, të menaxhuara nga Garda Revolucionare (IRGCN), operojnë përmes taktikave të “mizërisë”: mijëra motobarka të armatosura që rrethojnë rrufeshëm anijet e mëdha.
Për herë të parë, Irani po përdor edhe dronë shpërthyes dhe mjete civile të modifikuara me raketahedhës, duke e kthyer një forcë dikur modeste në një makineri lufte moderne.
Jennifer Parker, eksperte e sigurisë detare, tregon se këto flota kanë një histori të gjatë provokimesh. “Ato të vijnë përballë me shpejtësi maksimale dhe të drejtojnë armët”- thotë ajo, duke kujtuar përvojën e saj në rajon.
Sipas saj, anijet tregtare janë pothuajse të pambrojtura. Ato lundrojnë ngadalë dhe nuk kanë armatim, çka i bën pre të lehtë për t’u kapur ose bllokuar. Analistët vlerësojnë se Irani zotëron mijëra mjete të tilla, shumë prej të cilave fshihen në bunkerë nëntokësorë nëpër male, duke e bërë të pamundur llogaritjen e saktë të fuqisë së tyre.
Gholamhossein Mohseni-Ejei, zyrtar i lartë iranian, paralajmëroi në rrjetet sociale se kjo flotë është “në pritë” në ishullin Faror, gati për të goditur anijet amerikane. Përtej sulmeve direkte, kjo flotë ka aftësinë të mimetizohet me trafikun e rënduar detar.
Adrian Blomfield nga The Telegraph, vëren se motobarkat fshihen “në dritë të diellit”, duke kryer zbulim ose vendosje minash pa rënë në sy. Kjo strategji e lejon Teheranin të kontrollojë njërën nga rrugët më vitale të naftës në botë pa pasur nevojë për një flotë gjigante.
Ndonëse Trump e ka minimizuar rrezikun, aktiviteti i tyre është rritur ndjeshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të energjisë. Në një luftë asimetrike, Ngushtica e Hormuzit po dëshmon se si një forcë në dukje e vogël mund të sfidojë një fuqi botërore, duke goditur aty ku dhimbja është më e madhe: te trafiku global i naftës. \tesheshi










