Nisma Socialdemokrate ka dërguar një letër te Partia Demokratike e Kosovës (PDK) duke shprehur interesim për të garuar në listën e tyre për zgjedhjet e 7 qershorit 2026.
Kështu ka thënë deputetja e legjislaturës së nëntë nga Nisma, Arbëreshë Krasniqi për KALLXO.com.
Përndryshe, Nisma si e vetme është deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mospjesëmarrëje në zgjedhje.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ditë më parë ka thënë se partia e tij ka interesim që të shkrihet në PDK.
“Jemi të interesuar të bëjmë një listë të përbashkët që të maksimalizojmë vullnetin e atyre që besojnë si ne. Ne jemi të interesuar që të shkrihemi në një formacion të vetëm. Ta bashkojmë votën me shpresën që nesër të ofrohet mundësia të qeveriset me vendin. Hamza është kandidati më i mirë për kryeministër”– ka thënë Limaj në DebatPlus.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Nisma si garuese e vetme nuk arriti të hyjë në Kuvend. Mirëpo, në zgjedhjet e shkurtit 2025 përmes koalicionit me AAK-në hyri në Kuvend me tre deputetë të saj: kryetarin Fatmir Limaj, Xhevahire Izmakun dhe Arbëreshë Krasniqi. Më pas, partnerët ndanë rrugët.
Pas zgjedhjeve të 09.02.2025, raportet mes Limajt dhe partnerit të tij të koalicionit, kreytarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, u tensionuan.
Kjo pasi Limaj shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me çdo forcë politike, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke theksuar se për të janë të rëndësishme temat nacionale dhe jo pozitat.










