Fokus: Kjo është marrëveshja mes Ahmetit dhe “Grupit të Zjarrit”

Në takimin e djeshëm gjashtëorësh në Reçicë të Vogël, lideri i BDI-së Ali Ahmeti dhe përfaqësuesit e “Grupit të Zjarrit” janë marrë vesh për formimin e Kryesisë Qendrore, ku, siç kanë paralajmëruar, do të zhvendoset debati brenda partisë dhe “integristët” nga pushteti ekzekutiv do të japin llogari, shkruan “Fokus”, përcjell agjencia e lajmeve INA.

Në këtë mënyrë u plotësua një nga kërkesat e grupit të rrebeluar, pasi Ahmeti u rizgjodh në postin drejtues në kongresin e fundit të partisë para 3 vitesh dhe u formua këshilli i përgjithshëm, por deri më sot nuk u formua kryesia qendrore dhe nënkryetarët dhe sekretari nuk u zgjodhën.

Mirëpo, sipas informacioneve jozyrtare, Ahmeti edhe pas mbajtjes së kongresit i ka premtuar dy poste kyçe partiake për Izet Mexhitin dhe Blerim Bexhetin, të cilët në fakt janë frontmenët e nismës së ndryshimit.

Burime të larta partiake theksojnë se marrëveshja ishte që Mexhiti të zgjidhje sekretar i përgjithshëm dhe Bexheti njëri nga disa nënkryetarët e partisë, por kjo nuk është realizuar deri më sot, që është vetëm një nga arsyet e revoltës dhe pakënaqësisë së tyre. .

Në fund të fundit, ata kërkuan shkarkimin e zv.kryeministrit të parë Artan Grubi, pasi siç thuhej në letrën drejtuar Ahmetit, “sjellja arrogante dhe diletantiste e pushtetit ekzekutiv në krye me Grubin shkaktoi pakënaqësi, revoltë dhe pasivitet të strukturave dhe votuesve”.

Për momentin nuk ka njoftime për tërheqje të ministrave nga BDI, të cilët sipas të informuarve janë përzgjedhur drejtpërdrejt nga Ahmeti pa u konsultuar me komisionet amë, me përjashtim të ministrit të Arsimit Jeton Shaqiri, i cili është deleguar nga Dega e Strugës me në krye Ramiz Merkon.

Ndryshe, pjesë e “grupit të zjarrit” janë edhe dy ish-nënkryetarët e BDI-së – Nevzat Beita dhe Sadula Duraki, për të cilët nuk ka njoftime se do të marrin sërish poste të larta në kryesinë e re, si dhe Musa Xhaferi, i cili nuk është as anëtar i Këshillit të Përgjithshëm./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu